Papa Leoni XIV bëri një takim të veçantë me mbi 3000 gazetarë nga vende të ndryshme të botës, të cilët ndoqën votimin për zgjedhjen e tij. Duket një vazhdim i fjalëve të para që tha i sapogjedhur, një kontakt për të ndjekur rrugën që dëshiron të arrijë: Paqen për të gjithë.
Fjalët që tha para gazetarëve na përkasin në çdo gërmë edhe ne gazetarëve të Shqipërisë, sidomos disa prej nesh, të cilët hapin sytë në mëngjes dhe ngrysen në darkë me mendimin fiks: Kë të baltos në këtë ditë? Kë të sulmoj? Kë të ofendoj? Për kë të shpif?
Papa Leoni XIV dëshiron të rimarrë shqetësimin e pasardhësit të tij Papa Françeskut mbi rëndësinë dhe peshën e fjalës për të ndaluar luftërat e për të arritur paqen.
“Për këtë arsye – u tha Papa Leoni gazetarëve - përsëris para jush sot ftesën e bërë nga Papa Francesku në mesazhin e tij të fundit me rastin e ditës Botërore të komunikacionit: “Të çarmatosim komunikimin nga çdo paragjykim, mllef, fanatizëm dhe urrejtje. Ta purifikojmë nga agresiviteti. Nuk nevojitet një komunikim i zhurmshëm, me muskuj, por një komunikim i aftë të dëgjojë dhe të pranojë zërin e të brishtëve që nuk kanë zë. Të çarmatosim fjalët dhe do të kontribuojmë të çarmatosim Tokën”. Një komunikim i çarmatosur dhe çarmatosës na lejon të ndajmë një këndvështrim të ndryshëm mbi Botën dhe të veprojmë në mënyrë koherente me dinjitetin tonë njerëzor. Ju jeni në frontin e parë duke treguar për konfliktet dhe shpresën për Paqe, - u tha Papa Leoni gazetarëve, - situatat e padrejta dhe të varfërisë dhe punën e heshtur të të shumtëve për një Botë më të mirë. Për këtë arsye ju kërkoj të zgjidhni me ndërgjegje dhe kurajo rrugën e një komunikimi paqeje. Faleminderit të gjithëve, Zoti Ju bekoftë”, përfundoi Papa Leoni XIV.
Komente
