Edi Rama

Pse Rama i hidhëroi 'patriotët' në Tiranë e Prishtinë me fjalimin në Strasburg?!

14 Tetor 2022, 18:15| Përditesimi: 14 Tetor 2022, 18:17

  • Share

Kryeministri shqiptar Edi Rama mbajti të mërkurën fjalën e tij, të paralajmëruar dhe më herët, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, në mbrojtje të shqiptarëve në përgjithësi dhe të UÇK në veçanti nga akuzat monstruoze që kanë marrë jetë pikërisht në atë sallë, në Strasburg.

Pikërisht në sallën ku ishte miratuar raporti i përbindshëm dhe i rremë i Dick Marty, përmes të cilit akuzoheshin ish komandatët e UÇK, duke filluar nga simboli i kësaj Ushtrie Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçi, njëherësh kryeministër e President e deri tek Rexhep Selimi, ish drejtues në UÇK dhe kreu i grupit parlamentar të Vetëvendosjes në pushtet, se janë përfshirë në trafikun e organeve njerëzore. Organe të marra sipas Marty kryesisht nga robër serbë dhe ku transplanti është bërë po sipas tij në “Shtëpinë e Verdhë” në një fshat të Matit, që dhe dritat në atë kohë shkonin njëherë në muaj.

Rama, i mbështetur edhe në rezolutën e iniciiuar nga PS dhe të miratuar në Parlamentin e Shqipërisë me unanimitet të plotë, kërkoi pranimin e kërkesës se Shqipërisë nga Asambleja, për miratimin e një rezolute që kërkon një raport vijues, lidhur me akuzat e paprovuara, të turpshme të trafikimit të organeve nga anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, një krim që kurrë nuk është kryer dhe kurrë nuk duhet të i ishte atribuuar drejtuesve.

Pra kundërshtoi raportin e Dick Marty, të iniciuar nga kreu i delegacionit rus të partisë së Putinit në Asamblenë Parlamentare të KiE, i miratuar vite më parë fatkeqësisht dhe me votat e deputetëve të opozitës së sotme, PD dhe PL(LSI), i kundërshtuar nga deputetët e PS dhe PDIU. Një raport i cili praktikisht ka rënë, për arsye se në akt-akuzën e ngritur ndaj Thaçit, Krasniqit, Veselit dhe Selimit që ndodhen në burgun e Hagës, Gjykata Speciale s’ka përmendur askund trafikun e organeve njerëzore. Ka lënë “jashtë” pikërisht akuzën e rëndë mbi të cilën u ngrit kjo Gjykatë.

S’po flas në detaje për fjalimin e Ramës në Strasburg, në podiumin e Asamblesë Parlamentare të KiE, pasi e kanë dëgjuar jo vetëm shqiptarët, që e kanë shkarkuar videon në adresat e tyre në rrjetet sociale duke e postuar dhe ripostuar shumë herë, por dhe gjithë bota. Pasi është përcjellë live nga televizonet më të mëdha europiane, amerikane dhe më gjërë. Ai fjalim ishte thjeshtë brilant, në të gjithë elementët, një akt politik i lartë dhe ndoshta fjala më e arrirë deri më sot në mbrojtje të shqiptarëve në të gjithë hapësirën shqiptare në Ballkan, por dhe më gjërë në diasporë.

Eshtë mbrojtja më spektakolare që i është bërë luftës së Kosovës, vetë shtetit të ri të Kosovës, Shqipërisë e shqiptarëve në të gjithë botën nga një udhëheqës shqiptar, duke ‘shokuar’ dhe vetë panelin e sallën e deputetëve të KiE, por dhe duke gëzuar të gjithë shqiptarët që e duan me tërë mend këtë vend, e thënë më saktë veten e tyre. Një dokument, që do mbetet aty si dëshmi!

Praktikisht më 12 tetor 2022 labirinthet e selisë së KiE në Strasburg u tronditën me të vërtetat e thënë shqeto e me elokuencë, nga Edi Rama, të vërteta që deri më tani kanë qënë të ndrydhura dhe të pashprehura nga asnjë udhëheqës shqiptar, prej zorit, inferioritetit apo dëshirës. Merreni si të doni. Por fakti që Rama i dha fund qëndrimit inferior të liderëve shqiptarë ndaj ndaj të huajve, duke u sjellë dhe qëndruar mes homologëve të tij, pavarësisht madhësisë dhe fuqisë së shtetit që përfaqësonin, si i barabartë mes të barabartëve, është më se i vërtetë.

Këto të vërteta u deklaruan në mënyrë institucionale, të mbështetura dhe nga rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë, në mënyrën më të saktë të mundshme, pa asnjë drojë. Madje duke kërkuar nga Asambleja e KiE dhe një minimum ndjese për një vendim të gabuar të ndërmarrë vite më parë, kur jetësuan miratimin e një raporti që solli ngritjen e një gjykate spciale kundër ish krerëve të UÇK, mbështetur mbi akuza false, që sikurse e thamë, dhe vetë Gjykata Speciale nuk i ka në bazën e akt-akuzës së përpiluar në kurriz të ish drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Jo vetëm që e koncentroi gjithë aktin e refuzimit të këtij raporti famëkeq dhe të pavërtetë që po merr më qafë gjysmën e klasës politike të Kosovës, por Rama paralajmëroi se Rusia të njëjtin raport që paraqiti dhe miratoi në Strasburg për trafik organesh njerëzore për Hashim Thaçin dhe ish komandantët e tjerë të UÇK, po përgatitet ta hartojë dhe për presidentin aktual të Ukrainës, Zelensky për “trafik organesh njerëzore në Donbas”. Pavarësisht se presidenti ukrainas është vënë në krye të qëndresës së vendit që udhëheq për t’u mbrojtur nga agresioni rus, i mbështetur fuqishëm nga SHBA dhe vendet e BE, vende të cilat mbështetën drejtëpërdrejt dhe UÇK-në e Thaçin në vitin 1999, për çlirimin e Kosovës nga okupimi serb.

S’po komentoj më tej fjalimin e Ramës në Strasburg, atë e kanë komentuar krerë politikë, ish kryeministra, deputetë e ish deputetë, anliastë të të gjithë krahëve në të dy anët e kufirit, pjesa më e madhe e të cilëve kanë dhënë vlerësimin maksimal për të. As impaktin që dha ky fjalim në Asamblesë parlamentare të KiE, pasi ai u pa në fund të herës me mospjesmarrjen në darkën e shtruar nga Shqipëria për ta, por dhe nga brenda sallës, ku reaguan kundër përfaqësuesit serbë, përfaqësuesit grekë e rumunë, pikërisht përfaqësuesit e vendeve që nuk e kanë njohur deri më tani Kosovën si shtet të pavarur.

Ishte e pritshme, pasi për herë të parë në mes të Strasburgut, del një përfaqësues i lartë shqiptar, që shkund “rrjetën e merimangës” së thurur kundër shqiptarëve, deri në akuzën e trafikut të organeve njerëzore, duke na barazuar me njerëz të pakultivuar, me njerëz të llumbit të krimit dhe për më tepër duke na kthyer nga viktima të regjimit serb, në xhelatë të tyre.

Ajo që na ka bërë përshtypje, dhe jo vetëm ne, ka qënë përcjellja që i kanë bërë fjalimit të Ramës në Strasburg “patriotët” tanë në të dy anët e kufirit. Të cilët janë shfaqur mëse të hidhëruar nga ajo çka kryeministri shqiptar tha në fjalimin e tij dhe në përgjigjien e pyetjeve të deputetëve në Strasburg, në mbrojtje të Kosovës e shqiptarëve në tërësi.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani nuk ka zhgënjyer askënd, teksa nuk ka komentuar fjalën e Ramës. Ishte e pritshme një heshtje e saj. Pasi jo vetëm se kaq e ka “metrin” për të kuptuar, por dhe me atë që mund të ketë kapur, mbrojtja që kryeministri Rama i bëri UÇK, Kosovës dhe deri tek kërkesa për të shqiptuar saktë emrin e shtetit më të ri të Europës, “Republika e Kosovës” e jo “Kosovo”, bëri që bota e Vjosës të kthehej “përmbys”.

Edi Rama tha pikërisht ato fjalë që Vjosa Osmani duhej t’i kishte thënë me kohë dhe me vakt, ose të paktën të kishte qënë korridoreve të Asamblesë Parlamentare të KiE më 12 tetor, qoftë dhe për të krijuar një imazh të ‘rrejshëm’ për publikun se ishte në dijeni dhe pritje për atë çka do të thoshte kryeministri i Shqipërisë në Strasburg, madje të bënte sikur dhe të linte për të kuptuar se dhe “kishte kontribuar modestisht”. Do të kishte fituar goxha pikë si politikane dhe kryetare shteti nëse do të kishte luajtur qoftë dhe një rol figuranteje në këtë ditë.

Por Osmani i qëndroi deri në fund armiqësisë së saj me Ramën, thjeshtë e vetëm se kryeministri i Shqipërisë ka pasur dhe ka afri me ish Presidentin Hashim Thaçi, afri që e ka kërkuar dhe me udhëheqësit e tjerë të Kosovës por që nuk e ka gjetur siç kërkohet mes vëllezërve. Madje ka provuar në kurriz dhe armatën e madhe të “patriotëve” të rrjeteve sociale e komentatorëve politikë, që i ‘monitoronin’ dhe një takim mes homologësh ballkanikë, dhe një koncert privat në një festë birre në Korçë ku s’ishte prezent fare apo në takimet e “Ballkanit të Hapur” që janë “target” i ‘patriotëve’ të mëdhenj, që kanë në xhep pasaportën serbe, apo që kanë përfituar me një mijë e një mënyra nga aferat e nëndhshme me serbët.

Në të njejtën gjatësi vale ka qënë dhe Albin Kurti, i cili “nuk e kishte dëgjuar fjalimin e Ramës në Strasburg, pasi ndodhej për disa punë të rëndësishme në Pejë”. Nuk kishte pasur kohë Kurti, pavarësisht se e dinte më herët që Rama do të fliste në Strasburg. Kurti heshti për arsye politike. Fundja Albini erdhi në krye të qeverisë së Kosovës, pikërisht në momentin kur u ‘pastrua zona’ nga kundërshtarët politikë që nuk i jepnin shans për të fituar, të cilët u burgosën në Hagë.

Pse do të gëzojë Albin Kurti kur dikush, për më tepër Edi Rama të cilin e sheh si “rivalin” kryesor që e pengon për të qënë “udhëheqës i gjithë shqiptarisë”, kërkon heqjen e akuzave për trafik organesh njerëzore nga kurrizi i Thaçit, kundërshtarit më të fortë politik të tij, dhe Kosovës e Shqipërisë kuptohet, e që duke qënë i lirë në Prishtinë do t’i rrezikonte pushtetin?!

Një llogari e pastër politike kjo e Kurtit, i cili gjithsesi është në “trendin” e tij, atë të mungesës së mbështetjes për UÇK, mungesës së artikulimit politik e publik kundër padrejtësive që po i bëhen Kosovës në paqe. Nuk e ka bërë as formalisht një deklaratë mbështetëse ndaj 4 të burgosurve në Hagë, paçka se ka bashkë me ta në burg dhe kreun e grupit të tij Parlamentar Rexhep Selimi.

Dhe Kurti është hidhëruar, madje xhelozuar shumë, për fjalimin e Ramës në Strasburg, ku e mbrojti Kosovën, më shumë se sa gjithë politika e vetë Prishtinës e mbledhur bashkë, gjatë tërë këtyre viteve. Krijoi mundësinë që të fliste në një podium madhor si Asambleja Parlamentare e KiE, dhe e shfrytëzoi në mënyrën më të mirë këtë mundësi Edi Rama, duke qënë në qendër të opinionit të të gjithë botës, live. Vetë reagimet nga deputetët e KiE dhe politika në të dy anët e kufirit e tregoi se kishte ngjallur një impakt të paarritur deri më tani nga ndonjë nivel i lartë drejtues i Tiranës dhe Prishtinës, gjë që ka lënë pa “gojë” dhe politikën qeverisëse në Kosovë.

Madje i ka hidhëruar shumë, se ua ‘hoqi’ dhe ‘petkun’ e fundit të patriotizmit fals me të cilin kanë marrë vota deri më tani nga qytetarët e Kosovës. Por nga Prishtina ka pasur mbështetje të fortë nga liderët e opozitës, s’flasim për kreun e LDK Lumir Abdixhiku, i cili është i rrethuar nga rehatia e kapjes “qyl” të partisë simbol të Kosovës, si pasardhës i Rugovës. “Peshë” e rëndë ai.

Por hidhërimi më i madh i është shkaktuar politikës në Tiranës. Ilir Meta, ish Presidenti dhe kreu i Partisë së Lirisë nuk ka dhënë asnjë deklaratë për fjalën e Edi Ramës në Strasburg. Ka nxjerrë tek tuk ndonjë nga njerëzit e tij, të cilët lirshmërinë e mungesën e inferioritetit të Ramës përballë Asamblesë Parlamentare të KiE, e kanë cilësuar arrogancë që ka prishur punë, duke i mëshuar si “tangent” darkës shqiptare të bojkotuar nga zyrtarët e Asamblesë në Strasburg. E pasi ka testuar ‘tregun’ mediatik të reagimeve, sot ka dalë vetë duke deklaruar se “bojkoti i PPE në Strasburg ndaj Ramës ishte mesazh i qartë se bllofet dhe shfaqet teatrore që organizon duke cënuar edhe seriozitetin e institucioneve të rëndësishme europiane nuk mbulojnë dot kursin e tij aventuresk që nuk është tjetër veç përpjekje për të shmangur vëmendjen nga skandalet ku është përfshirë e ku është zhytur qeveria”. Pra mbrojtjen e luftës së UÇK e quan një shfaqje teatrore të Ramës.

Ndërkohë që i “papërsëritshmi” Sali Berisha ka qënë jo vetëm i hidhëruar por edhe i tërbuar fare. Teksa nuk ngjiti deklarata e parë e tij, kur tha se Rama ndihmoi Serbinë dhe Vuçiçin me fjalën e tij në Strasburg, një natë më parë në një emision televiziv bëri deklaratën e paimagjinueshme, sidomos kur del nga goja e një politikani të shpallur “non grata” nga SHBA, Britania e Madhe, dhe i trajtuar si “non grata” nga të djathtët e PPE si dhe vendet anëtare të BE që nuk i japin as dorën, jo më ta mbështesin.

Sali Berisha, përpos që ka dy ditë që po deklaron se Rama i nguli një thikë pas shpine Kosovës, madje ishte shkaktar dhe i burgosjes së Hashim Thaçit sipas tij, deklaron se “njerëzisht u bëj thirrje autoriteteve të Kosovës të ndalojnë fushatën politike të Ramës ndaj Gjykatës së Hagës”. Pavarësisht se Rama nuk sulmoi Gjykatën e Hagës, por raportin e Dick Marty që akuzonte UÇK për trafik organesh njerëzore, mbi bazën e të cilës u ngrit kjo gjykatë, që gjithsesi nuk e përmban më si akuzë këtë “trafik”. Thjeshtë kërkoi një rregullim i asaj padrejtësie nga Asambleja e KiE.

Por pikërisht Berisha deklaroi pa u skuqur fare se “bojkoti nga ana e të ftuarve të Asamblesë së KiE i darkës së organizuar nga Shqipëria në Strasburg, është trupi më i madh që i është bërë Shqipërisë, është refuzimi më i madh që i është bërë një drejtuesi të lartë të shtetit shqiptar”. E thotë Berisha i shpallur “non grata” dhe i refuzuar nga SHBA, BE dhe tërë ambasadorët e akredituar në Shqipëri, për korrupsion, minim të demokracisë dhe shantazhim të drejtësisë, madje i akuzuar dhe se është dhe pikë kontakti i Putinit dhe Serbisë në Shqipëri.

Në fund të herës Berisha e Meta, por dhe mbështetësit e tyre në Shqipëri janë hidhëruar dhe për llogaritë politike, pasi në mënyrë të papritur Rama u ka “zeruar” dhe kartën e fundit, ndonëse false, atë të “patriotizmit”. Me të cilin janë ‘vozitur’ politikisht deri më tani.

Duke qënë se tashmë është bërë publik financimi i lobimit të PD dhe LSI(tani PL) me para ruse e nga bota demokratike shihen si kontakte të Moskës dhe Beogradit në Tiranë për destabilizimin e rajonit, fjalimi i Ramës në Strasburg në mbrojtje të UÇK, Kosovës dhe Shqipërisë i dha “dorën” e fundit rrëzimit të mitit të “patriotizmit” të dy “dinozaurve” të politikës, me të cilin kanë bërë politikë sa herë që janë gjendur në hall personal me partnerët tanë dhe me drejtësinë shqiptare.

Në ditët në vijim do të dëgjojmë dhe “mrekullira” të tjera për të goditur të vërtetat që tha Rama në Strasburg, pikërisht nga Berisha e Meta, ata që votuan më 2011 raportin maskaradë të Dick Marty në Asamblenë parlamentare të Këshillit të Europës, pikërisht nga ata që në vitin 2006 kërkuan autonomi të zgjeruar për Kosovën, pikërisht nga ata që bashkë me ish kryeministrin e ndjerë serb Gjinxhiç në vitin 2002 i vunë Thaçit në tavolinë projektin për ndarjen e Kosovës, të cilin ish Presidenti i Kosovës e refuzoi. E ka bërë publik vetë Thaçi këtë fakt. Jemi të bindur se ky soj “patriotësh” nuk do ndalen në akuza, fjalimi i Ramës në Strasburg i ka hidhëruar shumë.

S.C/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Dea: 14/10/2022 18:37

    Rama mbajti nje fjalim teper madheshtor

    Përgjigju
    • Durieet: 14/10/2022 19:14

      TRE FJALIMET ME TE RENDESISHEM TE SHQIPTAREVE NDER VITE: 1946 FJALIMI I ENVER HOXHES NE KONFERENCEN E PAQES NE PRIS. FJALIMI I ENVER HOXHES NE KONFERENCES E MOSKES NE VITIN 60 FJALIMI ME I RENDESISHEM FJALIMI I EDI RAMES NE STRASBURG.TETOR 2022. KETO KANE MBROJTUR INTERESAT KOMBETRE,TE TJERAT KANE MBROJTUR ME SHUME INTERESAT PERSONALE TE PSEUDOUDHEHEQESVE SHQIPETAR NE GJITH HAPSIREN.

  • Hana: 14/10/2022 18:35

    Fjalimi i Rames ishte teper i sakte dhe i vertete

    Përgjigju
  • Kenti: 14/10/2022 18:30

    Te gjithe ne u bem krenar per ate veprim qe beri Rama ne asamblen e rendesishme qe u zhvillua

    Përgjigju
  • Meri: 14/10/2022 18:29

    Te gjitheve na emocionoi shume si fjalim

    Përgjigju
  • Mark: 14/10/2022 18:28

    Ne ate asamble u tregua dinjiteti i shqiptareve.

    Përgjigju
  • Fatma: 14/10/2022 18:27

    Ai ka qene nje nga fjalimet me patriote qe mund te ishte mbajtur ndonjehere

    Përgjigju
  • Igli: 14/10/2022 18:24

    Fjalimi Rames ishte mbreslenes

    Përgjigju
  • beni: 14/10/2022 18:20

    keshtu do shkruash nuk ke faj, kur je punonjes ministrie do i lepihesh shefit

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?