Vladimir Putin

Bota

Pse rusët 'fitojnë gjithmonë' (dhe 4 liderët amerikanë të vënë në lojë nga cari)

15 Gusht, 21:47| Përditesimi: 15 Gusht, 23:36

  • Share

Precedentët historikë janë ogur i keq. Pavarësisht veçorive të këtij takimi në Alaskë dhe të dy protagonistëve të tij, ka një element të pandryshueshëm: më shpesh janë rusët ata që dalin fitues nga takime të tilla. Shanset që Donald Trump të ndërpresë sonte këtë seri të gjatë suksesesh të Putinit janë, në mënyrë realiste, shumë të vogla – madje edhe po të mos merreshin parasysh kufizimet e tij personale.

Vetëm pak ditë më parë u kujtova disa nga samitet më të dështuara të historisë. Në Jaltë, në vitin 1945, një Franklin Roosevelt i sëmurë nuk kuptoi planet e Josef Stalinit, që pak kohë më pas do të impononin regjime shtypëse në gjysmën e Evropës. Në vitin 1960, një samit mes Eisenhower dhe Hrushovit dështoi për shkak të incidentit me një avion spiun amerikan, i rrëzuar mbi hapësirën ajrore të Bashkimit Sovjetik. Në vitin 1961, i njëjti Hrushov e vuri në vështirësi të mëdha John Kennedyn, i cili dha përshtypjen e një fillestari pa përvojë.

Rastet janë të shumta, por ia vlen të përmenden dy më të fundit dhe më domethënësit, sepse kanë si protagonist vetë Putinin.

Më 16 qershor 2001, pas takimit me të, George W. Bush deklaroi: “E pashë në sy, e gjeta të drejtpërdrejtë dhe të sinqertë. Ndjeva shpirtin e tij.” Ky është i njëjti Bush që në vitin 2008 reagoi në mënyrë të vakët dhe të paefektshme ndaj aktit të parë ushtarak që shënoi hapur ekspansionizmin rus nën udhëheqjen e Putinit: luftës në Gjeorgji. Ky nënvlerësim dhe dobësi amerikane në vitin 2008 u interpretuan nga Putini si sinjali i parë – nga një seri e gjatë – që Amerika do ta linte të lirë të sulmonte fqinjët brenda “sferës së tij të ndikimit”.

Presidenti i dytë që u bë objekt talljeje ishte Barack Obama. Më 26 mars 2012, në një samit ndërkombëtar në Korenë e Jugut, Obama u takua me “njeriun e kashtës” të Putinit, Dmitri Medvedev (që Putini e kishte bërë president për të kapërcyer një mandat, ndërsa vetë u “zbrit” në postin e kryeministrit, duke mbajtur realisht gjithë pushtetin). Duke besuar se mikrofoni ishte i fikur, Obama i tha Medvedevit: “Pas zgjedhjeve do të kem më shumë fleksibilitet për të negociuar me ty.” Mesazhi ishte i qartë: duhet të shtirem për të kënaqur votuesit e mi, por sapo të fitoj mandatin e dytë do t’i plotësoj kërkesat e tua. Obama ra pre e iluzionit të një Medvedevi properëndimor që duhet përkëdhelur, pa kuptuar se ai ishte thjesht një zëvendësues për liderin e vërtetë. Pak kohë më pas, Putini u rikthye president, pushtoi dhe aneksoi Krimenë. Edhe atëherë, sanksionet e Obamës ishin të buta, gjë që Moska e interpretoi si një dritë jeshile për agresione të tjera në të ardhmen.

Në një tjetër samit, në Shën Petersburg (G-20, 2013), Obama besoi se mund ta trajtonte Putinin dhe Rusinë si një “fuqi rajonale”, një gabim i madh vlerësimi dhe gafë që e poshtëroi carin, e ashpërsoi, por nuk e dobësoi. Përkundrazi, Putini përfitoi nga gabimet e Obamës në Siri, sidomos nga ajo “vija e kuqe” e shpallur për armët kimike të Assadit, që nuk u zbatua kurrë.

Dy samitet më të fundit, të cilat i kam përmendur tashmë, ishin po ashtu katastrofike: Helsinki 2017, me Trump-in që e la Putinin t’i “shpjegonte” politikën e jashtme amerikane, dhe Gjenevë 2021, me Biden-in në një gjendje të dukshme konfuzioni. Në rastin e Biden-it, ose më saktë të ekipit të tij të politikës së jashtme (pasi ai ishte një president “i komanduar”), duhet përmendur se e gjithë menaxhimi i luftës në Ukrainë u karakterizua nga vonesa, hezitime dhe kontradikta. Nga oferta fillestare që Zelensky të ikte në mërgim përballë avancimit të parë rus, deri te deklaratat e përsëritura se SHBA-të dhe NATO nuk do të përfshiheshin kurrë drejtpërdrejt në konflikt – një qëndrim i ligjshëm, por që për Putinin ishte një sinjal i qartë leje. Furnizimet me armë ishin gjithmonë të pamjaftueshme dhe të shoqëruara me kufizime të rënda për përdorimin e tyre. Sanksionet ishin plot boshllëqe: u desh ardhja e Trump-it që Amerika të vendoste në tavolinë kërcënimin e një super-takse prej 50% ndaj Indisë, nëse vazhdonte të blinte naftë ruse – një masë që administrata e Biden-it nuk e kishte marrë asnjëherë në konsideratë.

Pra, precedentët historikë nuk flasin në favor të një rezultati të mirë nga samiti i Anchorage. Shanset e Putinit mund të rriten më tej nga ndjenja e tepruar e sigurisë së Trump-it, i cili vjen pas një serie suksessh në rolin e negociatorit: marrëveshje të favorshme tregtare (takse unilaterale pa hakmarrje) me Mbretërinë e Bashkuar, Bashkimin Evropian, Japoninë dhe Korenë e Jugut; armëpushime apo marrëveshje paqeje mes Indisë dhe Pakistanit, Tajlandës dhe Kamboxhias, Kongos dhe Ruandës, Armenisë dhe Azerbajxhanit. Këto arritje e kanë ushqyer tek Trump ambicien për të fituar një Çmim Nobel për Paqen dhe i kanë rritur ndjeshëm vetëbesimin për aftësitë e tij negociuese.

Megjithatë, përtej kufizimeve të mëdha të Trump-it – që në Helsinki, tetë vite më parë, u manipulua nga Putini – mbetet fakti se seria historike e fitoreve ruse në samite shkon shumë përtej mangësive të këtij apo atij presidenti amerikan. Si shpjegohet që “rusët janë më të zotë”? Asimetria mes dy sistemeve politike kërkon një analizë të thellë krahasuese.

Në thelb, një president amerikan është i “shpërqendruar” nga shumë prioritete të tjera dhe, zakonisht, politika e jashtme nuk është në krye të shqetësimeve të tij (Jalta 1945 ishte përjashtim, jo rregull). Ndërsa një diktator rus mund të përqendrohet ekskluzivisht dhe me fokus të plotë në përballjen me kundërshtarin, duke i kushtuar gjithë energjitë dhe vëmendjen e tij.

Gjithashtu, në demokraci, ndarjet e brendshme shpesh i japin një pjesë të konsiderueshme të opinionit publik “armikut të jashtëm”. Për shembull, aktualisht, gjysma e Amerikës “lutet” që Trumpi të dalë i humbur nga samiti në Alaska dhe e thotë hapur këtë – në media, në politikë. E njëjta gjë vlente edhe për Biden, Obama dhe Bush. Në Rusi, kushdo që shpreson për humbjen e Putinit, e mban mendimin për vete.

Në afat të gjatë, bilancet që kanë rëndësi janë të tjera. Në garën sistemike mes dy superfuqive nga viti 1945 e deri sot, diferenca në pasuri dhe mirëqenie është gjithmonë në favor të Shteteve të Bashkuara. Kjo është inkurajuese në shumë aspekte: pikërisht sepse në demokraci autokritika është e vazhdueshme dhe mospajtimi është i integruar, ne kemi prirjen të jemi pesimistë për veten dhe të harrojmë “the big picture” – pamjen e madhe. Por kjo epërsi sistemike ushqen gjithashtu një tepricë sigurie: pikërisht bindja se je “i pari i klasës” është filli i kuq që, paradoksalisht, bashkon shumë nga gafat e Bush, Obamas, Trumpit dhe Bidenit në këto vitet e fundit./Corriere Della Sera

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A e zgjidh emergjencën e zjarreve në Shqipëri blerja e avionëve zjarrfikës?