Sot Sali Berisha gati po i kërkonte ndjesë Ilir Metës për akuzat që bëri rreth dekretimit të dorëheqjes së Shefit të Shtabit , para se të votohej për president. Edhe pse ai në dukje ai ngjante i revoltuar me Ilir Metën që i “hapi rrugë juntës ushtarake” apo që “shkeli rënd Kushtetutën”, sot nuk kishte atë mendim. Sot ishte dakord që Kushtetuta nuk e specifikon se ku nënshkruhet dekreti dhe se akuzat e tij i kishte bërë me qëllim që të shtyhej votimi në raundin e pestë.
Po pse kaq i zbythur dhe i dorëzuar përballë Ilir Metës?
Shpjegimi kryesor vjen tek izolimi i thellë që Sali Berisha ka sot nga spektri politik shqiptar dhe vet Partia Demokratike.
I papërfillur nga qeveria dhe i braktisur nga 35 deputetë të PD, me një luftë klanesh banale brenda grupimit të tij, shpresa e vetme e Sali Berishës që të përfillet është aleanca me Ilir Metën, i cili nuk është ende në standardin e sanksioneve nën të cilat është Sali Berisha.
Serbesllëku me të cilin ju kundërpërgjigj Ilir Meta me sqarimet e tij e trembën realisht Sali Berishën se po e humbiste dhe aleatin e fundit që e përfillte në skenën politike shqiptare dhe sot praktikisht i ra në gjunjë duke i kërkuar ndjesë për fjalët e ashpra që kishte thënë.
Por më shumë se sa frika e braktisjes nga Ilir Meta, Berisha shikon si rrezik frikën e rehabilitimit të Ilir Metës duke përdorur divorcin me Berishën.
Duke dekretuar largimin e kandidatit për president nga ushtria, duke krijuar lojalitet me shumicën dhe mbi të gjitha duke u distancuar ashpër nga Sali Berisha, Ilir Meta mund ti hyj një rrugë rehabilitimi të imazhit të tij dhe tek ndërkombëtarët duke viktimizuar Sali Berishën. Paranoja, se një divorc i tij me Sali Berishën në këto momente, do të quhet si mbështetje ndaj strategjisë së perëndimit për ta izoluar Sali Berishën, e ka bërë Sali Berishën të reflektoj duke i kërkuar në një farë mënyre ndjesë Ilir Metës.
Në kushtet kur pas SHBA dhe aleatët perëndimorë evropianë të PD, po kërkojnë izolimin e Sali Berishës, paranoja e këtij të fundit ndaj divorcit të Ilir Metës bëhet dhe më e madhe, pasi mund t'ia përdorin si standard që “atë e ka braktisur dhe Ilir Meta”
Ndaj sot Sali Berisha ishte gati ti binte në gjunjë Ilir Metës për të mos ja marr për keq deklaratat e dy ditëve më parë. Madje për ta bërë më të besueshme, që nuk i mbante inat, dëshmoi se ishte dhe vet i ndërgjegjshëm që Ilir Meta nuk kishte bërë ndonjë gabim. Por nuk i kishte shërbyer si herë të tjera duke e përdorur zyrën e presidentit, si seksionin e PD në Bathore, që e thërret sa herë i duhet miting në Tiranë.