Altin Dumani

Pse 'sovranistët' ndihen keq nga zgjedhja e Altin Dumanit në krye të SPAK?

16 Dhjetor 2022, 17:35| Përditesimi: 16 Dhjetor 2022, 17:38

  • Share

Sovranistët e hajnisë dhe të qarrit pa zarar, duhet të jenë ndjerë keq sot kur në krye të SPAK-ut u zgjodh kandidatura që u profilizua në publik si preferencë e përfaqësueses së SHBA-ve në Shqipëri.

E vërteta është se e gjithë Reforma në Drejtësi është një investim amerikan dhe evropian dhe kushdo të zgjidhej në krye të atij institucioni do të ishte në sinkron të plotë me partnerët dhe donatorët ndërkombëtarë, ashtu sikurse është e vërtetë se për nga aspekti i punës hetimore, drejtuesi i SPAK-ut është i barabartë me të gjithë prokurorët e tjerë.

Mirëpo, qoftë edhe për perceptim publik, zgjedhja e zotit Dumani është një lajm pozitiv dhe një ogur që gjërat mund të lëvizin për mirë.

Shqipëria është në një stanjacion të plotë, politik, mediatik dhe ekonomik. Grupet politike rivale kanë rënë dakort për të mbajtur njëri-tjetrin sipas parimit “i yti mishin ta ha, por kockën ta ruan” dhe vetëm një drejtësi funksionale mund ta shpërbëjë këtë triumvirat dhe të bëjë të mundur jo vetëm qarkullimin e elitave të kalbura politike, por njëkohësisht edhe klientët e tyre mediatik dhe ekonomik.

Shqiptarët sot duhet të ishin në krah të Amerikës dhe të BE-së, sepse një Reformë në Drejtësi funksionale është në të mirë të tyre dhe të së ardhmes së fëmijëve të tyre, pavarësisht problemeve që mund të ketë apo që mund të dalin gjatë rrugës.

Sigurisht që nga SPAK-u është pritur dhe pritet shumë. Ashtu sikurse mund të thuhet se deri më sot puna dhe rezultatet e tyre kanë qenë minore.

Fakti është se presioni i politikës, i botës së medias dhe të biznesit është shumë i madh që gjërat të qëndrojnë kështu siç janë.

Mjafton të ndjekësh se çfarë është diskutuar një natë më parë në mediat kryesore të vendit, se sa baltë është hedhur kundër ambasadores amerikane, nga të gjitha palët, për të kuptuar se kush janë armiqtë e vërtetë të Reformës në Drejtësi dhe se kush i frikësohen më shumë një mirëfunksionimi të sistemit hetimor dhe gjyqësor në vend.

SPAK dhe drejtësia edhe mund të dështojnë. Ato edhe mund të frikësohen dhe të mos kenë rezultat efektive në luftën kundër korrupsionit, për shkak të arsyeve nga më të ndryshmet.

Por një gjë është e vërtetë: nëse ndryshojnë gjërat për mirë, mund të ndryshojnë vetëm nëse do fillojmë të kemi rezultat konkrete në goditjen e korrupsionit në katet e larta të politikës 30-vjeçare në Shqipëri.

Në të kundërtën, do vijojë zvarritja dhe tollovija politike, ndërsa populli do vijojë të bëjë sehirxhiun nga llogoret partiake që nuk e lejojnë të shohin përtej hundës së partisë së tyre.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Toni: 16/12/2022 22:09

    Jo "kasta e larte" por veri emer maskarenjeve: Sali Berisha; Fatos Nano; Pandeli Majko; Ilir Meta; Edi Rama dhe onorrtaret zagare te tyre!!!

    Përgjigju
  • Gjergj: 16/12/2022 18:50

    A ka shqiptarè nè radhèt e prokurorève tè SPAK qè kanè formatin e duhur pèr kètè mision shpètimi kombètar? Apo ka vetèm Arben Kraja ky vènd, gjitonè tè Saliut nè Gjirin e Lalzit?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?