Berisha i humbi zgjedhjet në mënyrë të turpshme. E priste gjithëkush, por sërish ai refuzon të marrë përgjegjësi dhe vazhdon ta zvarrisë Partinë Demokratike drejt një humnerë pa kthim. Në vend që të largohet, të lejojë partinë të marrë frymë dhe të hapë rrugë për ndërtimin e një opozite reale, ai dhe rrethi i tij i ngushtë janë përqendruar në gjueti shtrigash, duke kërkuar fajtorë imagjinarë jashtë vetes.
Një nga shënjestrat është Sara Mile, një vajzë e re nga Elbasani, që hyri rishtazi në politikë dhe arriti të marrë një numër të konsiderueshëm votash. Akuzat që i adresohen janë të nënkuptuara: aludime për mbështetje nga "bota e krimit", për lidhje të dyshimta, për një "ngjitje të çuditshme" në politikë.
Të njëjtët njerëz që sulmojnë deputeten e re të Elbasanit, heshtin plotësisht për rastin e Arjan Ndojit në Durrës. Aty ku situata është edhe më alarmante. Si është e mundur që një ish-prokuror i shkarkuar nga Vetingu për korrupsion, një figurë e përfshirë në një atentat mafioz, në makinë me persona me precedentë penalë, të arrijë të bëhet deputet pa pasur asnjë eksperiencë politike më parë? Pa pasur një fjalë të thënë më herët në jetën publike?
Pse nuk shqetësohen për këtë model “deputetësh të rastësishëm”? Pse nuk përmendin rastin e Durrësit, apo raste të ngjashme në Kavajë, Berat, apo gjetkë, ku emra të dyshimtë, pa profil, pa kontribute, pa përfaqësim real, dalin përfaqësues të popullit nëpërmjet listave të hapura apo marrin një numër të konsiderueshëm votash dhe lënë prapa profile më politike dhe më të njohura?
Përgjigjja është e thjeshtë: sepse qëllimi i tyre nuk është pastrimi i politikës. As ndërtimi i një alternative më të mirë. Qëllimi është mbijetesa politike e një njeriu dhe rrethit të tij të mbyllur. Dhe kjo mbijetesë kërkon që gjithë fajin ta transferojnë tek të tjerër, si e vetmja mundësi për të mbijetuar vetë.
Deri kur ky standard i dyfishtë do të vazhdojë? Deri kur politika shqiptare do të shërbejë si strehë për njerëz të diskredituar dhe si pengesë për energjitë e reja? Dhe më e rëndësishmja: a do të ketë kush guximin të bëjë pyetjet e vërteta dhe të kërkojë përgjigje për to, pa dallim emri, krahine apo partie?
Sepse nëse kërkojmë transparencë dhe pastërti në Elbasan, duhet ta kërkojmë edhe në Durrës. Ndryshe, nuk jemi duke kërkuar drejtësi, por thjesht duke ndjekur interesa të vogla brenda një loje të madhe të humbur./ Tema
Komente
