Foto ilustruese

Bota

Pse Trump pezulloi tarifat doganore: detyrimet e thesarit nën presion dhe 14.5 trilion dollarë që u ‘zhdukën’ në 5 ditë

10 Prill, 08:03| Përditesimi: 10 Prill, 08:21

  • Share

Pas zhdukjes së 18 trilionë dollarëve nga vlera e tregut të aksioneve që kur ai hyri në Shtëpinë e Bardhë, dhe pasi 14.5 trilion dollarë ‘avulluan’ nga tregjet botërore të aksioneve brenda vetëm pesë ditëve të punës pas shpalljes së tarifave “reciproke” – një humbje mesatare prej mbi 50,000 dollarësh për çdo amerikan nga kursimet në aksione – Donald Trump po përpiqet të tërhiqet me kujdes.

Kur ai e shpalli këtë dje, kapitalizimi i tregut që ishte zhdukur në njëmbëdhjetë javët e para të presidencës së tij ishte i barabartë me produktin e brendshëm bruto të Kinës, ekonomisë (deri tani) më të madhe në botë për nga vëllimi i prodhimit.

Megjithatë, nuk është domosdoshmërisht për shkak të krizave në Wall Street që Trump ka bërë një hap pas, pa arritur ende asnjë koncesion tregtar nga ndonjë vend. Ose, të paktën, jo vetëm për këtë arsye. Natyrisht, rreziku i një recesioni të vetëshkaktuar – të nxitur nga vetë Trump – ka qenë një faktor i rëndësishëm. Por, më shumë se kaq, duket se ka qenë një analizë më e gjerë e situatës ajo që e ka bërë presidentin të kuptojë se nuk mund ta përballonte këtë betejë.

Sepse, ndryshe nga shumë periudha të tjera të tensioneve financiare në tri dekadat e fundit, kësaj here pati një anomali që i dha një sinjal të qartë Shtëpisë së Bardhë – për ta thënë me fjalët e vetë Trump-it – se “nuk i ka dokumentet”. Zakonisht, gjatë krizave, investitorët drejtohen nga asetet e sigurta amerikane, si obligacionet shtetërore (Treasuries) dhe, rrjedhimisht, dollari. Tradicionalisht, të dyja këto rriten në vlerë, duke reflektuar rritjen e kostove të borxhit të qeverisë amerikane. Por kësaj here, në mënyrë të çuditshme, po ndodhte e kundërta. Dhe kjo mund të jetë një shenjë e dobësisë financiare nga e cila SHBA-të po shpallin "luftën e tyre ekonomike" kundër pjesës tjetër të botës – siç e ka përkufizuar investitori Ëarren Buffett.

Nga Dita e Çlirimit të detyrimeve deri në tërheqjen e pjesshme të djeshme, dollari kishte humbur tashmë 2% në mesataren e monedhave të tjera kryesore: një humbje e konsiderueshme, për aktivin më likuid në botë. Sa i përket thesarit dhjetëvjeçar të SHBA-së, normat e interesit (yield-et) të tyre janë rritur nga më pak se 4% në një kulm prej gati 4.5%. Dikush po shiste një sasi të madhe të letrave sovrane të Amerikës, kostot e borxhit të së cilës po rriteshin. Ato mund të ishin fonde që kërkonin likuiditet pas humbjeve në bursë. Ose mund të kishte qenë shfaqja e parë, edhe pse minimale, e virusit të mosbesimit ndaj borxhit të madh amerikan dhe ndaj një monedhe rezervë botërore në duar të Donald Trump: statusi i monedhës së gjelbër nuk është më thjesht i garantuar për të ardhmen. Dhe mund të ketë pasur një ndikim edhe Kina.

Borxhi i qeverisë amerikane i mbajtur në rezervat e Pekinit ra nga 1.3 trilion dollarë në 2013 në 761 miliardë dollarë; pjesa e saj është më shumë se përgjysmuar. Tani banka qendrore kineze po kufizon rinovimet e bonove amerikane të maturuara dhe, nëse ka ndonjë gjë, po u thotë tregtarëve të grumbullojnë ar. Masat e Shtëpisë së Bardhë dje – mëshirë relative për të gjithë, përshkallëzim ndaj Pekinit – synojnë të izolojnë Kinën. Por Xi Jinping duhet të jetë i bindur se ai ka fuqinë për të përkulur Trump, dhe jo vetëm për shkak të borxhit të SHBA-së ende në duar të tij ose hakmarrjes së mundshme kundër fabrikave Tesla dhe Apple në Republikën Popullore.

Ka edhe më shumë: Trump kërkon dëshpërimisht kontrollin (nëpërmjet kapitalistëve miq) të rrjetit amerikan të TikTok kinez, për qëllime propagande politike, por negociatat për shitjen e tij janë të bllokuara. Dhe tani Xi është madje gati të heqë dorë nga ajo 14.6% e eksporteve të Kinës që shkojnë në Shtetet e Bashkuara vetëm për të fituar një pikë në rivalitetin midis fuqive. Ai po mbështet në faktin se shoqëria amerikane sot nuk është e aftë të përballet në mënyrë kohezive me një recesion të prodhuar nga tensionet gjeopolitike; por ai e di që kinezët do ta pranonin këtë dhe sakrifica të tjera, në emër të nderit të kombit./Corriere della Sera

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Fushata për 11 majin, a i besoni premtimet e partive politike?