Në pamundësi për të kapërcyer goditjen e shkaktuar nga një grusht shteti nga fanatikët e regjimit disa muaj më parë dhe nga lëvizjet për pavarësi në republikat sovjetike, Mikhail Gorbachev dha dorëheqjen më 25 dhjetor 1991. Udhëheqësi i fundit sovjetik donte të reformonte komunizmin, dhe jo ta zëvendësonte atë.
Por ai nuk ishte në gjendje që të frenonte forcat centrifugale që kishin krijuar reformat e tij. “Sistemi i vjetër u shemb përpara se i riu të kishte kohë të niste punën”-tha ai në fjalimin e tij të fundit, duke i bërë thirrje Rusisë të ruajë liritë e saj demokratike të fituara me vështirësi. Në krye të Rusisë u vendos Boris Jelcin që ringjalli një sistem të pushtetit personal,i cili ekziston ende sot.
Ne pyetëm disa nga ekonomistët, historianët dhe vëzhguesit më të shquar të Rusisë dhe Bashkimit Sovjetik se pse ky kolaps befasoi kaq shumë njerëz, dhe çfarë mësimesh duhet të nxjerrin prej tij zyrtarët e sotëm në Kremlin, por edhe të rinjtë e Rusisë së presidentit Vladimir Putin.
Sergej Radçenko, historian i Luftës së Ftohtë,profesor në Shkollën Johns Hopkins të Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare:
Arsyeja pse pakkush e parashikoi rënien ishte se nga pamja e jashtme Bashkimi Sovjetik dukej si një forcë e fuqishme ushtarake me një aparat të madh sigurie. Pak analistë e kuptuan se sa pak legjitimitet kishte sistemi; se ai ishte gërryer nga brenda nga korrupsioni, humbja e besimit tek ideologjia, standardet e mjerueshme të jetesës dhe së fundi, nga lufta brenda elitës.
Në fund atë e rrëzoi dezertimi i elitës, por edhe mungesa e legjitimitetit në përgjithësi. Putini e ka përdorur nacionalizmin rus më shumë sesa sovjetikët. Prandaj si një shtet-komb, Rusia e Putinit është në thelb më e qëndrueshme. Por ajo është e molepsur nga të njëjtat probleme që kishte Bashkimi Sovjetik, përfshirë mungesën e legjitimitetit (mungesë të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme), korrupsionin në një shkallë shumë të lartë, standardet e ngecura të jetesës, ndërsa Putini po plaket nga lufta brenda elitës drejtuese.
Pra, ndërsa Rusia e Putinit ka shumë pak gjasa të copëtohet së shpejti në principata thuajse të pavarura, vendi ka hyrë njëlloj si Bashkimi Sovjetik dikur, në një krizë të zgjatur. Pyetja e vetme është se çfarë e pret në anën tjetër, dhe sa e dhunshme do të jetë periudha e tranzicionit.
Sergei Guriev, profesor i ekonomisë në “Sciences Po Paris”. Ai ka qenë rektor i Shkollës së Re Ekonomike në Moskë deri në vitin 2013:
Është normale që shumica e njerëzve nuk mund ta parashikonin që Bashkimi Sovjetik, një nga dy superfuqitë e botës, do të shpërbëhej. Ngjarje të tilla janë shumë të rralla në histori. Megjithatë, kishte disa shenja. Nëse diçka nuk mund të vazhdojë përgjithmonë, ajo do të ndalet. Ky është ligji i ekonomistit amerikan Herbert Shtein, i formuluar në vitin 1986, dhe jo për Bashkimin Sovjetik.
Ekonomia sovjetike nuk po mundej të gjeneronte më rritje të produktivitetit. Gorbaçovi u detyrua të merrte hua për të siguruar standarde të qëndrueshme jetese. Bashkimi Sovjetik nuk mund të reformohej, pasi sistemi ishte i ngurtë. Në fund, tregjet e panë që Bashkimi Sovjetik nuk mund të paguante dot as borxhin e tij.
Putin ka nxjerrë shumë mësime nga ajo ngjarje. Politika makroekonomike e Rusisë është shumë më konservatore, inflacioni është nën kontroll, vendi ka rezerva të mëdha valutore, një buxhet të balancuar, dhe nuk ka një borxh të jashtëm. Ndërkohë, me gjithë dominimin e shtetit dhe rregulloret e përkohshme për kontrollin e çmimeve, Rusia është ende një ekonomi tregu dhe është shumë më efikase dhe më elastike se ajo sovjetike.
Por bota duhet të mos harrojë se përderisa u shemb regjimi sovjetik, kjo mund të ndodhë edhe me regjimin aktual rus. Regjimi sovjetik ishte ideologjik dhe kolegjial, ai i Putinit është personalist. Siç e tha në një rast kryetari i Dumës ruse Vjaçesllav Volodin “Pa Putin nuk ka Rusi!”. Në këtë kuptim, ky regjim nuk mund të zgjasë përgjithmonë. Rusia pas Putinit mund të jetë më e mirë ose më e keqe, por sigurisht që do të jetë ndryshe nga sot.
Vladisllav Zubok, profesor i historisë ndërkombëtare në Shkollën Ekonomike të Londrës. Libri i tij më i fundit titullohet “Rënia e Bashkimit Sovjetik”:
Siç e shpjegoj edhe në libri im, rënia u shkaktua nga zgjedhjet e Mikhail Gorbaçovit, mbi të gjitha nga reformat ekonomike të keq-menduara si dhe liberalizimi i shpejtë politik. Reformat ekonomike të Gorbaçovit e shkatërruan rublën dhe boshatisën arkën e shtetit.
Reformat e tij politiko-kushtetuese shkaktuan rebelime në të gjithë Bashkimin Sovjetik. Fenomeni më fatal ishte Rexit, ose separatizmi i rusëve, pakënaqësia e të cilëve gjeti një lider si Boris Jelcin. BRSS u shpërbë nga shpërthimi në qendër, dhe jo nga presionet e periferisë.
Vladimir Putin ka nxjerrë shumë mësime nga kjo histori. Ai u zotua të ruajë stabilitetin me çdo kusht makroekonomik dhe si një masë sigurie ka grumbulluar rezerva të mëdha financiare. Ai nuk dëshiron t’i prekë ato as në kohë pandemie. Ai është ndihmuar nga çmimet e larta të naftës për rivendosjen e pushtetit shtetëror, ushtrisë, policisë dhe monopolit të dhunës.
Por ka një leksion që Putin nuk e ka përvetësuar. BRSS ishte një konfederatë dhe u shpërbë kur Federata Ruse pretendoi pavarësinë dhe sovranitetin e saj. A mund të ndodhë e njëjta gjë me federatën aktuale? Kushtetuta ruse tani është një rrugë e njëkahshme: nuk ka mundësi shkëputje për subjektet e federatës, përfshirë Krimenë e aneksuar dhe Çeçeninë e pushtuar.
E megjithatë, rreziqet janë aty. Siç e tregon historia e vitit 1991, burimi kryesor i paqëndrueshmërisë për shtetin nuk janë vetëm pakicat kombëtare rebele, por edhe shumica ruse, kur për arsye ekonomike apo të tjera historike, ajo rebelohet kundër shtetit të vet.
Arçi Braun, profesor i politikës në Universitetin e Oksfordit. Libri i tij më i fundit titullohet“Faktori njerëzor: Gorbaçov, Regan, Theçer, dhe fundi i Luftës së Ftohtë”:
Cënueshmëria e shtetit sovjetik shumëkombësh në kushtet e pluralizmit politik, nuk ishte befasi. Surpriza e vërtetë ishte që një lider sovjetik, Mikhail Gorbaçov, shkoi aq larg me reformat e tij sa të përqafonte pluralizmin politik si në teori ashtu edhe në praktikë.
Gorbaçovi dëshironte që ta mbante të bashkuar Bashkimin Sovjetik, por në një formë të ndryshme. Por kur e liberalizoi sistemin dhe eci drejt demokratizimit të tij,rriti shumë pritshmëritë duke nxjerrë në sipërfaqe ankesat e shtypura nga dekadat e sundimit totalitar.
Liria e re e fjalës në vitet 1988-1989, lejoi shprehjen e aspiratave kombëtare të pakicave për një autonomi më të madhe.
Gorbaçovi mund të kishte pasur sukses në mbajtjen e shumicës së republikave sovjetike, nëse Boris Jelcin nuk do të kishte kërkuar pavarësinë e Rusisë. Ishte paradoksale që një udhëheqës rus të nxiste shpërbërjen e një Bashkimi Sovjetik që ishte në shumë aspekte, një Rusi e Madhe. Por ambicia e fortë e Jelcinin ishte për pushtet politik dhe për t’i zënë vendin Gorbaçovit në Kremlin. Ishte e parashikueshme që veprimet e Jelcinit do të çonin në shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik./ Marrë me shkurtime nga “Bloomberg”, bota.al