Frrok Çupi: Pse u zgjodh data 8 që mund të rrotullohet ngado?

8 Dhjetor 2023, 18:18| Përditesimi: 8 Dhjetor 2023, 18:20

  • Share

Ajo ditë nuk ka ekzistuar kurrë, tani duket se është shpikur. Mes 31 datave u zgjodh numri 8; mund të ishte 7, mund të ishte 11, 13 ose 17.

Për nga sensi i ëndërrimit, data e vullnetit kombëtar për t’u bashkuar me Europën, kishte qenë çdo ditë të jetës së njeriut në këtë vend; por nuk e lejuan.

Po data 8, çfarë është?

Numri 8, në fakt nuk ka qenë mes numrave fatalë. Ata që e zgjodhën nuk e treguan arsyen ‘pse?’, edhe pse mund të zgjidhej çdo datë tjetër për ta emërtuar si ‘ditë të revolucionit demokratik të rinisë’. Si ditë e fillimit të përleshjes me regjimin e diktaturës mund të ishte zgjedhur secila nga 365 ditët e vitit. Mund të ishte zgjedhur edhe data 2 korrik 1990, kur populli i Tiranës shembi muret e ambasadave të Europës dhe u drejtua andej. njësoj si dita e shembjes së Murit të Berlinit.

Por, çuditërisht, u zgjodh dita e tetë e dhjetorit. Tani kur kjo ditë duket se është thjesht një ‘totem’ dhe aspak një realitet, kthehemi e shikojmë fatalitetin e numrit 8.

Numrin 8 e paskan zgjedhur këta që sot quhen ‘dhunues të demokracisë’ dhe të jetës së njeriut…, sepse 8-a është i vetmi numër me ‘dy zero’. A mos vallë këta që sot po kërkohen nga Drejtësia dhe Vullneti i Popullit si të korruptuar të mëdhenj dhe minues të jetës së vendit, këta të jenë tallur që atëherë me vullnetin e popullit?!. Popullit që kërkonte Europën këta i vunë përpara totemin me dy zero:

“Ja, merreni, këtë do të keni përjetë – numrin zero dyfish!”, dhe duket se popullit i treguan gishtin e mesit.

Numrin 8 e paskan zgjedhur mes 31 numrave të muajit, sepse ky numër ka një magji djallëzore: Mund ta vendosësh më këmbë, por edhe mund ta kthesh me kokë poshtë… Njësoj del, prapë numri 8. Ku ta dinim ne se shpikësit e ‘magjisë djallëzore’ po na shfaqeshin ‘të hapur, të sinqertë dhe besnikë’. Na treguan të vërtetën se çfarë po na sillnin: Numrin që mund ta rrotulloje nga të duash, nëse do demokraci- kjo është; nëse do komunizëm- po ky numër është. Asgjë nuk ndryshoi në datën 8. Edhe Partia Komuniste e Shqipërisë ishte krijuar në datë 8.

Numrin 8 e zgjodhën sepse ky është numri i vetëm që edhe sikur ta shtrish përdhè, ai prapë 8 lexohet. Numri 8 ishte ‘Kali i Trojës’ që bëri sikur do të sillte demokraci e dinjitet, por solli Përbindëshin të ulur gjunjas si 8- a e shtrirë. Presidenti i parë demokratikas deklaroi se ‘do të jetoj si populli, në një apartament në Brrakë’. Gjunjas e gjunjas, bashkë me familjen, shkatërroi vendin dhe vodhi pasurinë kombëtare. Qeveria e tij si ‘demokratike’ hyri gjunjas si një organizatë kriminale në jetën e popullit. Tani të gjithë, që nga Amerika e Europa, po përpiqen ta nxjerrin nga jeta e popullit, por është e vështirë.

Numrin 8 e prunë siç bie ustai gurët e shtëpisë së re ku do të ndërtohet frëngjia me dy poste për të vrarë njerëz me armë. Në dritaret e 8 dhjetorit, Berisha me shokë e familje, vendosi armët ku vrau qindra; ndërsa në oborrin e kryeministrisë vrau 4 protestues. Në frëngjitë e datës 8, Berisha nxori grykat e 4 snajperëve për të vrarë liderin e opozitës dhe kush t’i dilte përpara. “Do t’u kisha vrarë të gjithëve!’, deklaroi ai në një çast.

Pse e zgjodhën këtë mes 31 numrave që nuk i ngjajnë numrit 8?

E zgjodhën pikërisht pse është 8. Teta mund të ndahet në dy pjesë e prapë dalin dy numra të njëjtë: Zero. Projekti i shtetit që doli nga data 8 dhe presidenti gjysmë komunist, gjysmë demokrat, ishte ndarja e vendit. Pas datës 8 dhjetor 1990, vendi do të futej në konflikt dhe luftë vrastare. Presidenti që doli nga frëngjitë e datës 8, urdhëroi që gjysma e popullit të Shqipërisë të vrasë gjysmën tjetër; Veriu kundër Jugut. U arrit kjo ‘fitore’ e Berishës, u vranë mbi 3 mijë dhe ra shteti. U desh që të vijnë ushtritë e Korbecë të Bashkuara për të mbrojtur shqiptarët që nuk ishin vrarë ende nga shqiptarët.

Numri 8 tani rri varur me kokë poshtë; ndoshta krijon vizion optik të një periudhe para 78 vjetësh.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?