Ish-kryeministri Sali Berisha

Pse udhëtimi i Berishës në jug ngjante me Rrapush Xhaferin e vitit 1996

26 Prill 2023, 21:35| Përditesimi: 26 Prill 2023, 21:38

  • Share

Ky  udhëtimi i Berishës në jug, mjaft njerëzve u shëmbëllen me Rrapush Xhaferin piramidal i handakosur, kur mbajti live e pa letër atë fjalimin e paharruar në mes të xhadesë, fiks te Gryka e Këlcyrës ! Video e tij tragjikomike vazhdon të qarkullojë lirshëm brenda e jashtë Shqipërisë,, bashkë me atë fjalinë e fundit presidenciale e rangalle në vigjilje të ’97-ës së zezë: “Paret e shqiptarëve janë më të pastrat në botë !”. Ajo deklaratë e papërgjegjshme hapi digën e fundit të vërshimit të parave nga shqiptarët e raskapitur në mëmdhe dhe në udhët e mërgimit të detyruar. Një vërshim i paparë historikisht në këto troje : Të lëkundurit e fundit dhe të varfërit, shitën shtëpitë, bagëtinë, tokat dhe boshatisën qeset e xhepat me andra (?!).

 Disa bejtexhinj hokatarë e fare pak gjynahqarë në Përmet, mblodhën fët e fët vargjet dhe ndonjë saze e iu drejtuan sy më sy “gjeneralit” pa spaleta që hidhte 10 mijë lekëshat si oriz dasme mbi ciftin e ri dhe mbi vetë dasmorët. Mirëpo, ca patën fatin t’ua ngjiste me pështymë mbi ballët e sfilitur të fukarallëkut “demokratik”,pjellë e qeverisjes gangstere. Gjithnjë nën avujt dehës të rakisë e të verës nga vreshtat e Bolëngës, Qilarishtit, Dëshnicës, Piskovës, Dangëllisë, Rrëzës e Shqerisë. Ku ta dinin derëzestë e punëzestë se po “daroviteshin” poshtërsisht me djersën dhe gjakun etyre, me fitimet e bijve nëpër Evropë e Perëndim. Pasuri që pushteti mashtrues e i pashpirt i PD-së së cartallosur ua katandisi e bitisi “për dhjamë qeni”! Jo rastësisht tepelenasit e mi ia krisën labces therëse : O balo të hëngërt tënja,/ E paske të keqen brënda”…Sepse ishin qepur vargje sarkastike jo vetëm për ish Presidentin e firmës piramidale, por edhe për vetë Berishën në krye të shtetit pluralist…

Tani Berishë si bie të ktheht e të shikoj me sytë e tij se si ka ndryshuar Tepelna, këlcyra Përmeti dhe pse ai ngjan me Rrapush Xhaferin tek Gryka e Këlcyrës.

Tërmet Peçi në Tepelnë ëhstë I sigurt në mandatin e tij të katërt.  Punët e mira bëjnë vetë këmbë, pa lulka e barut propagandistic, duke patur pranë edhe zëvendësin dinjitoz e të aftë, Spiro Korën tonë që sot do ishte një nga pedagogët e Universitetit të Kamzës në Tiranë …Të dy me Tërmetin, kanë vite që ecin si një pendë qe nëpër “ugaret” halleshumta të Tepelenës  ku kërkojnë e japin llogari jo nga maja e kalit. Dhe ndryshimet në infrastrukturë janë të dukëshme, po ashtu në shërbimet sociale të përditëshme në qytet e në fshatra. Pa fluturuar me krahët e euforisë, e shikojnë realitetin në dritë të syrit, me të mirat e mangësitë. Unë I kam njohur nga afër edhe në disa veprimtari të shënuara. Asnjëherë nuk kërkuan reklama e fanfare mediatike me shkrime, video, intervista gazetash e kaseta të gatëshme ekranesh. Dhe as reaguan halldupce e me inate të ndezura përballë ca namusqarëve buzëlarë partiakë e ulërakë të thekur në istikamet berishiste. Djem të tillë me sedër e tepër modestë, nuk i bëjnë nder vetëm Tepelenës. Puna flet vetë e pa kallauzë të akshamit. Fjalët dashakeqe e me leqe provincialë, në fund të ditës i merr era e famshme e atij qyteti të dashur. Qytet ku u rritëm e u burrëruam për të përballuar jetën plot halle, sakrifica e maraze. Rrënja mbetet rrënjë, brez pas brezi. Se zgjedhësit e asaj treve lavdimbuluar, nuk ta japin kollaj votën, besimin e pathyer për sot e nesër.

Me përrallat e Doktorit te gryka e Këlcyrës, më tepër qeshin e tallen njerëzia. Përshembull, kur foli për ujin e Trebeshinës(që për mua nuk është i tillë), më kapi i madhi gas dhe aty për aty e shtyva muhabetin me një “varja, pleqëri hesapi !”. Beteja e kolegut tonë për ta penguar ndërtimin e fabrikës mbi atë lumë, nuk mund të harrohet. Por “varka” e Qeverisë(kupto: korrupsioni) ishte ngjitur në Kupolën e Shtetit “demokratik” dhe kish futur “ujë” herët. C’të bënte më tepër miku ynë, rritur në ato brigje të serta ?! Se jo më kot paraja e vërvit ujin përpjetë, sidomos nëpër qoshetë erërënda të kapitalizmit shqiptar…Por kur hyri në ca hollësira mashtruese, një vërsniku im përmetar te Brryli në kryeqytet, nuk u përmbajt :

Dëgjomë pak, miku im, të lutem ! Ti Doktorin e njeh qysh në 1983, kur ishe korrespondent i Jugut në Sarandë. I thuaj acik nga ana ime, me emër e mbiemër po deshe : Me marshimin e fundit përgjatë lumit, ia ka futur katundit, tamam si ai me qorren pas kasolles ! I thuaj shqip e troc, në luginën e Vjosës, do marrësh “opingat e Sheros” gjatë ditës së votimeve ! Dhe aspak opingat me xhufka. Madje, pyete: Kur e ka oreksin më të madh për brockulla, gjatë orës diellore, hënore, astronomike apo galaktike ? Të kam rixha, i thuaj te veshi, të ruhet fort edhe nga ajo ora e shpagimit elektoral. Sepse, qoftë larg, c’bie ora, nuk e bie moti e viti.. Apo ka mbetur ende njeriu që bën si ti shkrepet në kokë dhe nuk ka provuar hic t’i vihen të dyja këmbët në një opingë ? Kam bindjen se Doktori ka një okë mend në kokë edhe pasi doli “non grada” në Amerikë e në Angli. Halle-halle kjo dynja !

Shumicën e brezit tënd e të brezit tim “e ka vrarë opinga” dhe nuk kanë ardhur nga rrugët e Bllokut vezullues e as nga dyshekët me pupla. Lakmia e tij 30 vjecare për t’u marrë “yrrja-byrrja” me të qëna e të paqëna orë e pa kohë, tashmë është kthyer në boomerang të papërballueshëm. Vallë, mos e shushat dyfjalëshi “opingat e Sheros” ? Të kuptohemi. Brezi i Doktorit dhe brezi im kanë provuar edhe kohëra fëmijërie pa opinga në këmbë. Kush harroi udhën nga erdhi, u bë gazi i botës. Mjaft prej tyre u shkolluan me shumë djersë e sakrifica, por asnjëherë nuk u bënë “baltë a gur në opingë” dhe as sahanë në duart e njerëzve me pushtet e pa pushtet. Madje, koston e kanë paguar herët. Dhe kur u mbaron durimi, t’i japin opingat në dorë !...Votuesit e majtë e të djathtë në atë Luginë historike që unë e njoh gati pëllëmbë për pëllëmbë dhe e dua jo pak, nuk u “bie sahati gjithnjë dymbëdhjetë”! Opiumin e propagandës së ndryshkur partiake dhe sapunin nuk e hanë për djathë. Se gënjeshtrat me bisht e pa bisht ushqejnë edhe premtimet e shpresat e vdekura. Trillimet që shtrembërojnë ose fshehin të vërtetat, nuk I hanë kollaj në nahijen time. Si në monizëm dhe në pluralizëm. Disa “koka të mëdha” të Pluralizmit rrumpallë, sa për punë e trimëri i marrin të keqen Tërmet Pecit e Spiro Korës me shokë !...Njerëzit e ndershëm nuk kanë kujtesë shkurtabiqe e të molepsur në tartabiqe dhe të fshijnë nga memoria të vërtetën helm për kombin : E cuan Shqipërinë drejt një lufte civile ! “Edhe fashizmi,edhe nazizmi nuk arriti të shkatërrojë Shqipërinë në këtë mënyrë. Nuk dogji shkolla e spitale, librari e biblioteka. Nuk zhduku vlera arkeologjike…”etj. Konkretisht, pasojat përvëluese të hapjes së depove të armëve, po vazhdojnë të plagosin e vrasin qindra zemra të pafajshme  dhe po mbytin në zi nëna e baballarë fatkeqë.

Duke mbyllur këto shënime reflektive të ditës, befas një miku im i cmuar, më dërgoi një video me At Zef Pllumin. Ky burrë i vuajtur e i ditur, i drejtpërdrejtë e i selitur, përgjigjet krejt i qetë e jo pa dëshpërim, me zë e figurë, kur e pyetën se nga na vjen e keqja më e madhe ne shqiptarëve :”-Prej ved vedit. Prej njani – tjetrit. Prej shqiptarëve. Ne s’kemi dashuni me njeni tjetrin. Ne kemi inate, mllef, e kurrgja tjetër. E kjo asht e keqja e madhe që na vjen…”

Kupat e gërr-vërreve janë mbushur e po derdhen me kohë, gati nga të njëjtat fytyra të Polit(h)ikës pa moral. Harrojnë se edhe kripa në tokë e peshku në det-në tigan bashkohen…

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?