Nuk do të ketë as tapet të kuq, as fluturime spektakolare, as duartrokitje kur Volodymyr Zelensky të mbërrijë në Uashington DC të hënën.
Por kujtimi i hidhur i vizitës së tij të fundit në Shtëpinë e Bardhë do të zërë vend të rëndësishëm në mendimet e presidentit ukrainas.
Në shkurt, ai u tall nga presidenti i SHBA Donald Trump pse nuk mbante kostum dhe iu tha se nuk i kishte “letrat në dorë”, përpara se të nxirrej herët nga ambientet, si një klient problematik që përjashtohet nga një bar.
Zelensky e di se po rrezikon një tjetër “pritë” në Zyrën Ovale, por duhet të paraqitet si pjesëmarrës i gatshëm në bisedimet e paqes, nga frika se mos paraqitet si pengesa për një zgjidhje.
Fillimisht kishte një optimizëm të matur në Kiev pas samitit të Trump me presidentin rus Vladimir Putin, sepse dukej se nuk ishte bërë asnjë marrëveshje mes Uashingtonit dhe Kremlinit pa praninë e Ukrainës, siç ishte frikësuar.
Por ai pozitivizëm i përmbajtur u shua shpejt me publikimin e një deklarate nga Trump mëngjesin pas takimit.
Në kulmin e euforisë së një takimi me autokratin Putin, ai dukej se kishte braktisur pikën kyçe që liderët europianë ia kishin theksuar – se duhej të kishte një armëpushim pa kushte në Ukrainë si fillim absolut drejt një zgjidhjeje të përhershme.
Trump, mesa duket, kishte arritur në përfundimin se nuk nevojitej asnjë armëpushim. “Mënyra më e mirë për t’i dhënë fund luftës së tmerrshme mes Rusisë dhe Ukrainës... është të shkohet drejtpërdrejt në një marrëveshje paqeje”, kështu shkroi ai në rrjetin e tij social Truth Social.
Kjo shkaktoi tronditje në Kiev.
Shumë atje dhe gjetkë besojnë se Rusia nuk ka asnjë synim të ndalë luftën tani, dhe do ta përdorë avantazhin ushtarak në fushëbetejë për ta shtyrë Ukrainën në negociata të zgjatura, duke e detyruar të heqë dorë nga më shumë territore.
Ndërkohë, masakra e ukrainasve do të vazhdojë.
Është kthesa më dramatike e Trump, i cili përpara takimit dhe pas lobimit nga liderët europianë kishte thënë se nuk do të ishte i kënaqur nëse Putini nuk pranonte një armëpushim, madje kishte premtuar “pasoja të rënda”.
Megjithatë, tani raportet sugjerojnë se Trump po i jep besueshmëri qëndrimit rus – në një telefonatë me Zelensky ai ka paraqitur propozimin e Putinit që Ukraina të heqë dorë edhe nga më shumë territore, në këmbim të përfundimit të luftës.
Presidenti ukrainas, pa dyshim, është shqetësuar kur ka parë fotot e Putinit që pritej si një mbret në një bazë ushtarake amerikane në Alaska. Është një kontrast i drejtpërdrejtë me mënyrën se si ai vetë u prit në tokën amerikane.
Në orbitën e Trump gjithçka është një garë personalitetesh, dhe atje ku ai tregon një nënshtrim të dukshëm ndaj Putinit, shfaq përçmim për Zelenskny. Kjo e bën pozitën e ukrainasit jashtëzakonisht të vështirë./Sky News
Komente
