PARIS - Në prag të finales së sotme të Superkupës së Europës kundër Tottenham (21:00 në Udine), PSG përballet me një tronditje të madhe brenda skuadrës. Trajneri Luis Enrique ka lënë jashtë listës së grumbullimit portierin Gianluigi Donnarumma, një prej protagonistëve të triumfit në Champions League sezonin e kaluar.
Vendimi, të cilin spanjolli e mori përsipër 100%, ka ndezur debat, sidomos pasi marrëdhëniet mes klubit dhe portierit italian janë tensionuar prej javësh për shkak të kërkesave të larta financiare në rinovimin e kontratës. Transferimi i një portieri të ri nga PSG vetëm sa e forcoi sinjalin se nëse Donnarumma dëshiron të luajë, duhet të gjejë ekip të ri gjatë verës. Chelsea, United dhe City janë vënë pas tij.
“Gigio është një nga portierët më të mirë në botë dhe si person është edhe më i mirë. Por duhet të marrësh vendime të vështira në futbollin e nivelit të lartë. Ky ishte një vendim plotësisht i imi dhe lidhet me mënyrën se si dua të luajmë”, tha Enrique, duke lënë të kuptohet se kufizimet e italianit me topin në këmbë janë arsyeja kryesore.
Një përjashtim nga ekipi që për portierin italian dhe agjentin e tij tregon mungesë respekti, për vetë faktin e rëndësisë që gardiani ka luajtur në ekip që prej verës 2021.
Enzo Raiola, menaxheri i Gigio Donnarummës foli për 'Sky Sport' lidhur me çështjen e ditës, atë të përjashtimit të portierit.
“Nga fjalët e Gigio kuptohet që se është shumë i mërzitur, ndërsa unë jam i habitur. 4 vite respekt dhe rezultate të mëdha, por në këto 10 ditë është rrëzuar e tërë 'kështjella'. Këto veprime rrezikojnë të fshijnë gjithçka që është bërë me PSG-në.
Gjatë Botërorit të Klubeve, a ndryshoi diçka? Në Los Angeles më konfirmuan gjithçka dhe unë theksova që Gigio kishte edhe një vit kontratë dhe nuk dëshironte të bënte asgjë tjetër. Ajo që ndodhi në ditët e fundit është e papritur, mungesë shumë e madhe respekti. Trajneri bën lojën e klubit, do të shohim me juristët se çfarë pozicioni kanë marrë.
Vendimi për të mos rinovuar u mor gjatë Botërorit të Klubeve, PSG-ja na kërkoi të mos publikojmë asnjë informacion dhe ne e respektuam këtë kërkesë. Sa iu përket zgjidhjeve, tani po shohim lëvizjet e tregut. Sigurisht që në Premier League do të ketë mundësi ekonomike, sepse kam dëgjuar që PSG ka kërkesa paksa të ekzagjeruara për kartonin e tij.
Ata flasin për respekt, por po kuptoj se ky respekt është thjesht ekonomik. Do ta kuptojmë më mirë në ditët në vijim se çfarë do të thonë ata, por do të konsultohem edhe me juristët e mi. Edhe nga aspekti i imazhit duhet të marrim pozicionet e duhura për të kuptuar se si do të vazhdojmë dhe si do të përballemi me klubin parizien", tha agjenti Raiola.
Komente

Nuk eshte Mino Raiola gjalle, se ai ua shkulte dhembet dhe leshte e kokes klubeve.
Përgjigju