PARIS - PSG ia ka dalë që për herë të dytë në histori të jetë në finalen e Champions League. Skuadra e Luis Enriques mposhti 2-1 Arsenalin në gjysmëfinalen e kthimit në ‘Parkun e Princave’ dhe më 31 maj në orën 21:00 do diskutojë trofeun në finalen e Munichut me Interin.
Në Paris me një super Donnarumma, vendasit u futën në fushë me avantazhin 1-0 nga ndeshja e parë. Besimin për kalimin më tej PSG-së ia dhanë dy pritjet deçizive të portierit Italian, i cili ndali ‘Topçinjtë’.
Duhej minuta e 27-të që Fabian Ruiz të shënonte golin e parë te PSG-ja, duke qetësuar tifozët. Në fraksionin e dytë Arsenali pati disa raste, por ishte PSG që gaboi penalltinë me Vitinha.
Më pas ishte Hakimi që ‘vulosi’ kualifikimin e PSG-së në finale me golin e dytë, kjo pas asistit të Dembele. Bukayo Saka në minutën e 76-të vetëm sa shkurtoi rezultatin për 2-1.
Kështu, PSG dhe Inter do diskutojnë trofeun në Munich më 31 maj, ndërsa për skuadrën nga Parisi kjo do jetë hera e dytë që shkon në finalen e Ligës së Kampioneve, pasi më herët në 2020 u mposht nga Bayern Munich.
Interesant është fakti se për herë të parë që nga viti 2004 nuk do të ketë skuadër angleze, spanjolle apo gjermane në finalen e Ligës së Kampionëve.
Inter vs PSG, finalja e Champions League
Komente
