Prej 1 muaji, psikologë edhe në 50 qendra shëndetësore! Psikologia Xhika: Ankthi e mbyllja në vetvete, problemet më të shpeshta! Referimi bëhet nga mjeku i familjes e pediatri

27 Janar 2023, 09:57| Përditesimi: 27 Janar 2023, 10:57

  • Share

Prej një muaji, për herë të parë shërbimi i psikologut ofrohet edhe në 50 qendrat shëndetësore në të gjithë vendin.

Këshillim psikologjik kërkojnë jo vetëm të rriturit por edhe fëmijët. Psikologja e qendrës shëndetësore numër 8 në Tiranë, Majlinda Xhika thotë se problemet kryesore që paraqesin lidhen me ankthin, mbylljen në vetvete dhe irritimin pa motiv.

“Mendoj se jo të gjithë janë informuar për këtë shërbim. Qytetarëve kur ju është propozuar takimi me psikologun e qendrës, nuk ka pasur rezistencë kur janë referuar. Përkundrazi e kanë pranuar. Fëmijët kryesisht kanë ardhur për shqetësime emocionale, gjendje të lehta të ankthit, ose vështirësi në marrëdhëniet e tyre të përditshme me bashkëmoshatarët.  Ndërsa tek moshat më të rritura kanë qenë problematika që lidhen me ankthin, vështirësi në humor ose probleme me gjendjen emocionale. Ka njëlloj hezitimi nga adoleshentët. Problematikat më të shpeshta janë stili i jetesës dhe mbyllja në vetvete” tha psikologja e Qendrës Shëndetësore nr.8, Majlinda Xhika.

Jo vetëm pandemia, por edhe kriza ekonomike duket se i kanë shtruar ndjeshëm rastet e qytetarëve që kërkojnë ndihmë psikologjike.

“Mund të evidentohen kushtet pas pandemisë, por edhe faktorët e tjerë emocional që lidhen me fazën në të cilën ndodhen, stresin e punës impenjimet e tyre gjatë ditës”, tha Xhika.

Për të marrë një shërbim të tillë, Xhika shprehet se roli kryesor është i mjekut të familjes që bën edhe referimin te psikologu.

“Ekziston dhe pjesa e stigmës që sëmundja fizike nuk lidhet me sëmundjen mendore, por në fakt një shërbim i parë nuk të bën absolutisht dëm”, tregoi ajo.

Shërbimi i psikologut deri tani është ofruar vetëm në shkolla e spitale, ndërsa kjo pritet të sjellë një lehtësim financiar për qytetarët, të cilët për një konsultë ose seancë terapie, në privat paguajnë rreth 4 mijë lekë.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?