Psikologia: 'Çelësi i suksesit' menaxhimi i emocioneve / Ja si të ndihmoni fëmijët tuaj të zhvillojnë inteligjencën emocionale

3 Tetor 2023, 13:52| Përditesimi: 3 Tetor 2023, 16:19

  • Share

E ftuar në emisionin “Rreze Dielli” në Report TV, me moderatore Androniki Kolka, ishte psikologia Lorela Garuli, e cila foli për inteligjencën emocionale tek fëmijët.

”Inteligjenca emocionale është aftësia që ka një fëmijë për të kuptuar si ndihet dhe pse ndihet në një mënyrë të caktuar, pra çfarë emocioni ka dhe pse e ka këtë emocion” e nis kështu intervistën psikologia e njohur, duke shtuar se falë dijes për inteligjencën emocionale, një fëmijë mund të mësojë sesi të menaxhojë emocionet e vështira si inatin, ankthin apo zemërimin.  

”Një faktor i rëndësishëm është fakti që nëse një fëmijë është empatik, e ndihmon shumë për të kuptuar emocionet e të tjerëve dhe kështu mund të kuptojë më mirë botën” shtoi ajo.

Sipas studimeve, nëse një fëmijë mëson të menaxhojë emocionet, është një individ më i qetë dhe i shërben vetes dhe të tjerëve më mirë. Studimet thonë se zhvillimi i inteligjencës emocionale tek fëmijët është shumë i rëndësishëm, pasi është një nga aftësitë që do t'i ndihmojë më shumë të zhvillohen personalisht, të kenë marrëdhënie personale të shëndetshme dhe të jenë të suksesshëm në jetë.

“Kur ka çekuilibër emocional, sjellja e fëmijëve dhe adoleshentëve ndryshon, kjo ndikon në familjen, shkollën dhe bashkëjetesën shoqërore dhe gjithashtu mirëqenien e tyre psikologjike” theksoi psikologia në studio, duke shtuar se këto keq rregullime shfaqen kur fëmija nuk i njeh si duhet emocionet e tij, nuk i shpreh ato ose e bën në mënyrë të papërshtatshme ose keqinterpreton sjelljet ose emocionet e të tjerëve, për shembull.  

Ndërtimi i inteligjencës së përshtatshme emocionale tek fëmijët tanë mund t'i ndihmojë ata të jenë emocionalisht më të shëndetshëm. Por sa realisht punojnë prindërit shqiptar në këtë aspekt? A i kushtojmë ne vëmendje emocioneve të fëmijëve? Shpesh këto pyetje nuk kanë përgjigje, por fakt është që fëmijët e sotëm, do të jenë individët e rritur nesër dhe menaxhimi i emocioneve të tyre është shumë i rëndësishëm si proces.

MC/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?