Kantautori me origjinë shqiptare Ermal Meta është një nga të ftuarit special në Festivalin e Radio Televizionit Publik Shqiptar. Është hera e parë që Meta ngjitet në një skenë festivali në Shqipëri. Ndërsa, vjet pse u shpall fitues i Sanremos me këngën “Non Mi Avete Fatto Niente”. Këngë me të cilën përfaqësoi Italinë në Eurosong 2018. Meta rikthehet sërish pas koncertit që bëri Bashkia e Tiranës, në muajin qershor në sheshin “Skënderbej”.
Edhe pse gjatë konferencës për mediet ishte thënë se në këtë edicion të 57-të të Festivalit të Radio Televizionit Publik Shqiptar nuk do të publikoheshin këngët e plota në “Youtobe”, krejt e kundërta ka ndodhur sot. 22 këngët janë publikuar të plota në “Youtobe”. Kjo e bën edhe më të lehtë, që publiku “të zgjedhë” paraprakisht fituesin e festivalit. Formulë kjo që gjatë vitit të kaluar, ku u përzgjodh fitues kantautori Eugen Bushpepa me këngën “Mall”, pati mjaft suksese. Ka qenë ndër të paktat çmime të para të dhënë gjatë viteve të fundit në festivalin e fundvitit, ku kritika dhe publiku janë bërë në një zë me zgjedhjen e jurisë.