Publikohen për herë të parë katër foto të rralla nga ceremonia mortore e ish-Kryetarit të Komisionit të Planit të Shtetit, Nako Spiru, e cila u zhvillua në datën 21 nëntor të vitit 1947, ku sipas versionit zyrtar, ai kishte kryer vetëvrasje, në kushte të tronditjes shpirtërore! Nako Spiru, një nga figurat kryesore të udhëheqjes së lartë komuniste që nga periudha e Luftës, nga viti 1944 deri në ’47-ën që kreu “vetëvrasjen”, ishte anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste dhe në hierarkinë zyrtare të atyre viteve, ai ishte numri 3 i regjimit dhe vinte pas Enver Hoxhës e Koci Xoxes.
Po kështu që nga viti 1944 kur Spiru ishte zgjedhur si anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare të komanduar nga gjeneral-major Spiro Moisiu, ai ishte dhe anëtar i Kryesisë së Këshillit Antifahsist Nacional-Çlirimtar, kurse në vitin 1946, u zgjodh edhe si President i Bashkimit të Rinisë Antifashiste të Shqipërisë, si dhe sekretar Sekretariatit të Frontit Demokratik të Shqipërisë, që kryesohej nga Enver Hoxha.
Nga mbarimi i Luftës e deri në 21 nëntorin e vitit 1947, Nako Spiru gjithashtu mbajti edhe një sërë detyrash dhe funksionesh të tjera, si: deputet dhe sekretar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Ministër i Ekonomisë Kombëtare, Ministër i Industrisë, Kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit dhe kryetar i Këshillit Ekonomik. Më 1946-ën, nga funksioni i Ministrit të Ekonomisë Kombëtare, ai firmosi Konventën Bashkëpunimit Ekonomik me Jugosllavinë, gjë për të cilën më pas shfaqi shenja pendese dhe për këtë gjë pati kontradita me Enver Hoxhën, i cili e akuzoi si “antijugosllav”.
Për qëndrimin e tij, më 18 nëntor 1947, Byroja Politike e Partisë Komuniste e kryesuar nga Enver Hoxha, organizoi një mbledhje “për të shikuar qëndrimin e shokut Nako Spiru”, ku ai u akuzua ashpër nga pasuesit e Enverit me në krye Koci Xoxen dhe në ato situata, ai i kërkoi një takim ambasadorit sovjetik në Tiranë, Chuvakin, i cili nuk e priti në takim dhe nisur nga kjo gjëndje ku ndodhej, ai “u mbyll në zyrën e tij dhe në kushte të tronditjes së rëndë shpirtërore, kreu vetëvrasje, duke qëlluar veten me pistoletën e tij” !?
Të gjitha sa më sipër, janë sipas versionit zyrtar, pasi edhe sot e kësaj dite, ajo gjë, pra e vërteta e vrasjes së Nako Spirut, ka mbetur e mbuluar me mister, pasi ai mbërriti i gjallë në Spitalin Ushtarak të Tiranës dhe sipas dëshmive të bashkëshortes së tij, Liri Belishova, atë nuk e lanë të hynte në dhomën ku ai ishte shtruar…?!
Një dëshmi tjetër që hedh dyshime të mëdha mbi vrasjen e Nako Spirut, është dhe ajo e një mjeku italian që shërbente asokohe në Spitalin ushtarak të Tiranës, i cili pak muaj më vonë u riatdhesua në vëndin e tij në Itali dhe në momentin e largimit në Portin e Durrësit, i tha kolegut të tij shqiptar që po e përcillte, se: “Nako Spiro më kërkoi t’i shpëtoja jetën…”!
Dy ditë më pas u zhvillua ceremonia zyrtare mortore e varrimit të tij, e cila u zhvillua fillimisht në sallën e “Akademisë së Arteve” në Tiranë, ku u kryen homazhet dhe morrën pjesë e gjithë Byroja Politike dhe udhëheqja e lartë e Partisë Komuniste Shqiptare, si dhe qytetarë të kryeqytetit, gjë e cila duket edhe në njërën prej këtyre fotove që publikohet për herë të parë nga Memorie.al, ku shihet qartë pjesëmarrja e madhe e qytetarëve të Tiranës, të cilët kryejnë homazhet para ark-mortit të Nako Spiros, i cili ruhet nga oficerët e Gardës së Republikës.
Në foton e dytë, shihen disa nga eksponentët më të lartë të Partisë Komuniste Shqiptare, të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, Ministrisë së Punëve të Jashtme, dhe të Ministrisë së Punëve të Brëndshme, si: Ramiz Alia (i cili, ishte vartës i Nakos, si zv/President i Bashkimit Rinisë Antifashiste të Shqipërisë,) Teki Kolaneci, Rrahman Përllaku, dhe Behar Shtylla, të cilët qëndrojnë në pozicionin e rojes së nderit, tek arkivoli i Nakos.
Në foton tjetër, duken disa nga ushtarakët e lartë të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore dhe Ministrisë së Punëve të Brëndshme, të cilët shoqërojnë shtratin e topit me ark-mortin Nako Spiros të mbuluar me flamurin kombëtar dhe të tërhequr nga kuajt, gjatë kalimit të kortezhit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Në këtë foto, dallohen qartë edhe disa nga drejtuesit e asaj kohe të këtyre dikastereve, si kolonel Sali Ormëni, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë Popullore.
Ndërsa në një foto tjetër, shihen qartë antarët e Byrosë Politike dhe të Këshillit të Ministrave, të cilët, ecin në sheshin para Kryeministrisë, duke shoqëruar kortezhin mortor, si: Hysni Kapo, Manol Konomi, Pandi Kristo, Koçi Xoxe, Enver Hoxha, Medar Shtylla, Omer Nishani, Myslym Peza, Tuk Jakova, Kristo Themelko, Haxhi Lleshi, Gaqo Tashko, Mehmet Shehu, Spiro Moisiu, Koço Tashko, Josip Djerdja (ambasadori jugosllav), Dimitri Chuvakin, (ambasadori sovjetik), etj.
Edhe pse Nako Spirut i’u krye një varrim me të gjitha nderet, pak kohë më pas Enver Hoxha e akuzoi atë si “antijugosllav”, duke e shpallur “armik të popullit dhe të Partisë”, gjë e cila vazhdoi deri në vitin 1949, kur pas prishjes së marrëdhënieve zyrtare me Jugosllavinë e Marshallit Josip Broz Tito, Enveri e rehabilitoi Spiron, duke e paraqitur atë si një “viktimë të intrigave tististe”. Por në vitet që pasuan, Enveri e “ngriti dhe uli” disa herë figurën e Nako Spiros, madje duke varrosur dhe zhvarrosur disa herë trupin e tij, deri sa më në fund në librin e tij ‘Titistët’ në vitin 1982, atë e shpalli përfundimisht si “tradhëtar”!/Memorie.al
@Edmont, Cfare ka ardhja e largimi i Cakajt? Ai është shqiptar e si i tille erdhi. Boll me keto politika përçarëse te një kombi kaq te vogel qe ska asnjë aleat ne rajon! Shqipëria ka qen vetëm një here shtet dinjitoz, ne kohen e këtij bobit qe shani akoma 35 vite pas vdekjes se tij. Hapini sytë e mos u merrni me budalliqet por me çështje serioze, doni njeri tjetrin me shume se u ka ik kjo veti qe sa te forte e kishit ne kohen e te shkretit!
PërgjigjuArdhja e cakaj nga Kosovo dhe futja e tij ne politiken shqiptare nuk dihej. Ndersa largimi i tij ne kete moment per mua krijon shume hije dyshimi.
Përgjigju