Komisioni i Venecias e thotë qartë, paketa Antishpifje nuk mund të votohet në Kuvend pa bërë ndryshime. Ligji ka shumë paqartësi sipas opinionit përfundimtar të këtij komisioni.
“Ligji vuan nga paqartësia dhe mund të ketë efekt mbi shtypjen e fjalës së lire në median online në Shqipëri. Blogerët, përdoruesit e internetit mund të jenë shënjestër e ligjit. Komisioni i Venecias inkurajon autoritetet shqiptare të mbështesin krijimin e një organi vetë-rregullues të pavarur që funksionon në mënyrë efektive dhe të pavarur që përfshin të gjithë aktorët përkatës të komunitetit të mediave dhe të aftë për të siguruar një sistem efektiv dhe të respektuar të përgjegjshmërisë së mediave”.
Komisioni i Venecias vendos në pikëpyetje kompetencat që ky projektligj i jep Autoritet Audioviziv të Medias por edhe Komisionit të Ankesave.
“Do të ishte mirë të rishikohej metoda e përzgjedhjes së AMA-s në mënyrë që kjo trupë të jetë pluraliste, të ketë individë të kualifikuar, të përfaqësojnë komunitetin e medias dhe të gëzojnë autonomi nga kontrollet qeveritare. Këto kompetenca të reja nuk duhet t’u besohen këtyre trupave pa siguruar më parë se ato janë mjaftueshëm të pavarura nga partitë politike, bizneset e mëdha të mediave ose korporatat e tjera të lidhura me politikën”.
Venecia nuk bie dakord as për sanksionet, duke kërkuar që të merret parasysh kapaciteti financiar i mediave.
“Kapaciteti ekonomik i mediave nuk është një faktor që përcakton shumën e një gjobë, që mund të rezultojë në një situatë ku aktivitetet e mediave më të vogla (apo edhe blogerëve individualë) janë paralizuar me gjobitje jo proporcionale. Kjo do të zmadhojë efektin e atyre dispozitave që rrezikojnë të çojnë në vetë censurim të debatit politik, që është thelbësor për çdo demokraci”.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministrit Rama, i cili shprehu gatishmërinë për ti adresuar këto ndryshime. "Mirënjohje Komisionit të Venecias për Opinionin mbi "Antishpifjen"!Tani pa humbur kohë të adresojmë në Kuvend sugjerimet e vyera dhe të garantojmë me ligj të drejtën e çdo njeriu për t'u mbrojtur nga Shpifja,si dhe detyrimin e çdo portali për t'u identifikuar si subjekt i ligjit".
Paketa Anti-shpfije u dërgua në "Venecia" nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës dhe OSBE, ndërsa mazhoranca bëri "një hap pas", duke mos e votuar në Kuvend pa marrë parasyh opinioni e Komisionit të Venecias. Çfarë parashikonte ligji 'Anti- Shpifje' që u votua me 82 vota pro, 13 kundër dhe 5 abstenim nga Kuvendi, por presidenti Ilir Meta e kthehu mbrapsht (lexo ketu).
Komisioni i Venecias propozon këto ndryshime:
• Ngushtim i fushës së zbatimit të ligjit, duke përjashtuar në mënyrë të qartë çdo media online jo-profesionale, si blogerë individualë, përdorues të rrjeteve sociale.
• Rishikim i parashikimit të de-anonimizimit të gjitha burimeve të mediave online shqiptare pasi mund të jetë në kundërshtim me standardin ndërkombëtar që vullneti i përdoruesve të Internetit për të mos zbuluar identitetin e tyre normalisht duhet të respektohet. Kjo masë lidhet ngushtë me rastin nëse subjekte të ligjit janë blogerët apo mediat jo profesionale.
• AMA-s dhe Këshillit të Ankesave (KA) duhet t'u besohen kompetencat e shtuara administrative duke siguruar më parë se këto organe janë mjaftueshmërisht të pavarura nga partitë politike, bizneset e mëdha të mediave ose interesat e tjera të korporatave të lidhura me politikën; për shembull duke shtuar përfaqësues të komunitetit të mediave dhe të shoqërisë civile që nuk janë të lidhur drejtpërdrejt me forcat kryesore politike në përbërjen e KA/AMA;
• Rishikim i procedurës së ankesave pasi nuk ofron masa të mjaftueshme procedurale: KA/AMA mund të vendosë, në një procedurë shumë të shpejtë administrative, gjoba të cilat janë menjëherë të zbatueshme, dhe urdhërojnë heqjen e përmbajtjes së internetit, gjithashtu me një efekt të menjëhershëm. Masat mbrojtëse shtesë duhet të futen për të garantuar procesin e duhur dhe proporcionalitetin e sanksioneve.
• Të rishihet metoda e zgjedhjes së AMA dhe anëtarët e KA, në mënyrë që të sigurohen që këto organe të kenë një përbërje pluraliste, të përbëhen nga individë të kualifikuar, të përfaqësojnë komunitetin e mediave dhe të gëzojnë një autonomi të besueshme nga qeveria dhe bota e biznesit.
Komisioni i Venecias gjithashtu inkurajon autoritetet shqiptare të mbështesin krijimin e një organi vetë-rregullues të pavarur që funksionon në mënyrë efektive dhe të pavarur që përfshin të gjithë aktorët përkatës të komunitetit të mediave dhe të aftë për të siguruar një sistem efektiv dhe të respektuar të përgjegjshmërisë së mediave në fushën e mediave në internet përmes vetë-rregullimit rregullore.
( Kliko këtu ) Dokumenti i plotë Raporti i Venecias për antishpifjen