E ardhmja e markës së njohur italiane Giorgio Armani do të jetë në duart e Fondacionit që mban emrin e vetë stilistit, i cili u nda nga jeta më 4 shtator, në moshën 91-vjeçare. Fondacioni Armani trashëgon 100% të aksioneve të kompanisë, sipas testamentit të vetë stilistit.
Më konkretisht, Fondacioni, që më parë zotëronte vetëm 0.1% të aksioneve, do të marrë pronësinë e plotë mbi 9.9% të aksioneve (që përfaqësojnë 30% të të drejtave të votës) dhe të drejtën e "pronësisë së zhveshur" mbi 90% të mbetura. Ndërkohë, të drejtat e votës për pjesën tjetër ndahen ndërmjet Pantaleo Dell’Orco, bashkëpunëtor i ngushtë i stilistit, dhe nipërve e mbesave të tij, Silvana Armani dhe Andrea Camerana.
Në përfundim, Dell’Orco do të ketë të drejtën e përdorimit mbi 30% të aksioneve dhe 40% të të drejtave të votës në kompani.
Fondacioni do të ketë 30%, ndërsa nga 15% secili do të kenë nipërit Silvana Armani dhe Andrea Camerana. Roberta Armani dhe Rosanna Armani kanë përfituar aksione pa të drejtë vote.
Nga dy testamentet e shkruara me dorë nga Giorgio Armani në pranverën e kaluar, del se përfituesit kryesorë janë Dell’Orco dhe nipërit e stilistit, i cili nuk kishte fëmijë.
Për shembull, pjesa që Armani zotëronte në gjigantin EssilorLuxottica, rreth 2% e kapitalit me një vlerë prej mbi 2.5 miliardë euro, ndahet me 40% për Dell’Orco dhe 60% për familjarët.
Përveç kësaj, 100 mijë aksione iu dhuruan Michele Morsellit, CEO i kompanisë së pasurive të paluajtshme të Armanit, ndërsa nga 7.500 aksione iu dhanë Daniele Ballestrazzi, Giuseppe Marsocci, Laura Tadini dhe Luca Pastorelli.
Armani ka parashikuar gjithashtu në testament rrugën për bashkëpunime apo shitje të pjeshme të shtëpisë së modës. Fondacioni, në bashkëpunim me Dell’Orco (ose në mungesë të tij, me një nga nipërit që kanë të drejtë vote), duhet brenda 12 deri në 18 muaj nga hapja e trashëgimisë të shesë 15% të aksioneve, me përparësi ndaj grupeve si LVMH, EssilorLuxottica, L’Oréal ose ndonjë kompani tjetër prestigjioze me të cilën Giorgio Armani ka pasur bashkëpunim.
Më tej, parashikohet që nga viti i tretë deri në të pestin pas hapjes së trashëgimisë, të shitet edhe një pjesë tjetër prej 30% tjetër e aksioneve, duke çuar totalin e aksioneve për shitje deri në 70%.
Në çdo rast, Fondacioni duhet të ruajë 30% të kapitalit dhe të sigurojë ruajtjen e “stilit” dhe trashëgimisë estetike të markës.
Në rast se nuk gjendet një blerës i përshtatshëm, Giorgio Armani ka lënë mundësinë që kompania të dalë në bursë, duke filluar nga viti i tretë, nëse kjo kërkohet nga Dell’Orco dhe një nga dy nipërit me të drejtë vote.
Në çdo rast, nga viti i pestë deri në të tetin, është parashikuar që Giorgio Armani S.p.A të jetë pjesë e tregjeve financiare. Edhe në rastin e listimit, Fondacioni duhet të ruajë të paktën 30% të aksioneve.
Ndër kompanitë e përmendura në testament, Essilor-Luxottica është e vetmja italiane dhe gjithashtu e para që ka reaguar zyrtarisht.
"Jemi krenarë për besimin që zoti Armani i ka dhënë grupit tonë dhe menaxhimit tonë", deklaroi një zëdhënës i kompanisë së themeluar nga Leonardo Del Vecchio dhe drejtuar sot nga Francesco Milleri. “Do ta shqyrtojmë me kujdes këtë mundësi,” shtoi ai.
Komente
