Është publikuar videoklipi i këngës shqiptare “Ktheju tokës” të Jonida Maliqit, e cila do të na përfaqësojë në “Eurosong 2019”. Videoklipi i “Ktheju tokës”, vjen në gjuhën shqipe, sikundër do të jetë edhe në skenën e Eurovizionit, në Tel Aviv të Izraelit. Kompozitorja, Eriona Rushiti, flet për punën që është bërë deri tani, por edhe për garën, që i pret artistët shqiptarë
“Ja ku jemi prapë pas kaq kohësh. Kënga nuk pësoi shumë ndryshime në riorkestrimin e saj, ne e realizuam në një studio në Suedi. Pas kësaj nisi puna me videoklipin me regjisor Genti Gjineci dhe Andri Koti, të cilët punuan me shumë dashuri”, shprehet kompozitorja Eriona Rushiti.
Për veshjen e Jonidës, është kujdesur stilisti i njohur Ardi Asllani. Fustani i krijuar është një ndërthurje e ngjyrave të natyrës, të tokës, që plotësohet nga foleja, uji dhe zjarri.
“Realizimi i videoklipit mbahet mbi simbolin e një foleje, të shqiponjës, apo shtëpia, vatra, vendi, që prishet për arsye të ndryshme, digjet ose mbytet, ndërsa njeriu vrapon për t’u kthyer në folenë e vet”, tregon Eriona Rushiti.
Detaje këto që plotësojnë edhe më së shumti thirrjen, që del nga mesazhi i këngës, “Ktheju tokës”. Pas videoklipit nis turi i koncerteve.
“Së shpejti na pret një tur koncertesh, dëshira jonë është ta nisim me Prishtinën, në Madridit, Londër, Amsterdam. Dhe një koncert do të jetë në Tel Aviv para festivalit”, thotë Rushiti.
Për Rushitin konkurrentë të fortë janë vetëm disa, si Holanda, Rusia, Suedia, Zvicra.
“Nata e dytë do të ketë shtete shumë të fuqishme, si Holanda, Rusia, Suedia, Zvicra. Megjithatë, kam besim se do na shkojë mbarë. Nga ana profesionale spikas dy tre këngë origjinale, siç është Italia, Holanda, Greqia. Në renditjen që janë bërë deri më tani nuk kemi qenë asnjëherë poshtë pesëshes, mendoj se jemi mirë”, tregon kompozitorja.
Kënga “Ktheju tokës” doli Fituese e Festivalit të 57-t të Këngës në Radio Televizionin Publik Shqiptar dhe konkurron në datë 16 maj në Eurovizion 2019.