Sociale

Pukë/ Banesa iu dogj para 3 vitesh, 64-vjeçari lutet për ndihmë: Më ndihmoni vetëm për të ndërtuar çatinë! Kur jeton kështu, mund të vijë edhe vdekja

12 Tetor, 15:13| Përditesimi: 12 Tetor, 15:21

  • Share

Mungesa e një çatie prej djegies së banesës tre vite më parë, ka bërë që një 64-vjeçar nga Puka të jetojë si në mesjetë. Palush Marku thotë se nuk mori asnjë dëmshpërblim, teksa vetë e ka të pamundur riparimin. Në pritje të pensionit, i moshuari jeton vetëm nga puna ditore.

***

Sikur të mos i mjaftonte jeta i vetëm dhe pa të ardhura, Palush Marku nga fshati Kavlina i Pukës është i detyruar të jetojë pa një strehë mbi kokë.

Djegia e banesës tre vite më parë e ka detyruar atë që të qëndrojë ashtu në kushte mjerane pa më të voglën ndihmë, teksa vjeshta që ka trokitur ia vështirëson edhe më jetën.

“Ka tre vite që më është djegur banesa. Nuk kam marrë asnjë dëmshpërblim. Jetoj siç po e shikoni. Vetë e kam të pamundur, sepse nuk kam as ndihmë ekonomike. Jetoj vetëm me të ardhurat nga puna ditore në shtëpi, kush të më thërrasë”, thotë ai.

64-vjeçari gdhihet e ngryset pa shpresë se një ditë mund të bëhet më mirë, teksa të ftohtin që ka filluar të ndjehet e përballon i mbuluar me batanije në krevatin që i ka rezervuar fati.

“Mbulohem me batanije. Nuk kam çfarë të bëj”.

Palushi nuk kërkon kushte, madje as rikonstruksionin e banesës apo pajisje. Ai lutet thjesht dhe vetëm për riparimin e çatisë.

“Të paktën më ndihmoni për një çati, është e vështirë jeta në këto kushte. Kur mendon kështu, mund të vijë edhe vdekja”.

64-vjeçari lutet që një ditë të jetojë pa brengën e mungesës së një strehe.

Teksa tek pragu i banesës, ashtu në heshtje, vetmi e varfëri pret që dikush të mendoj dhe për të.

V.GJ /E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria ndaloi përdorimin e monopatinave, si ju duket vendimi?