Maja e Murgës në Pukë po kthehet në një nga destinacionet më të kërkuara nga turistët e huaj. Vetëm 20 kilometra nga qyteti, kjo zonë ofron panoramë unike mbi liqenin e Komanit, duke tërhequr çdo muaj qindra vizitorë të apasionuar pas hiking.
Por për dy turistë hollandezë, eksplorimi i maleve gati sa nuk u kthye në tragjedi. Ata humbën rrugën në majën e Murgës mbrëmjen e së shtunës dhe kërkuan ndihmë nga policia pasi nuk arrinin të orientoheshin dhe të gjenin rrugën e kthimit.
Policia e Pukës, zjarrfikësit, autoambulanca dhe gudieri lokal, Emanuel Pjetri u nisën menjëherë drejt Majës së Murgës, në një terren të thyer dhe pa dritë, operacioni i shpëtimit zgjati për disa orë.
"Pas disa orësh i gjetëm. Vajza ishte rrëzuar, pak e lënduar, ishin më shumë të frikësuar. Kishin nevojë për ujë dhe ushqim. I nxorëm rreth orës 1:00 të mëngjesit...”,- thotë Emanuel Pjetri, udhërrëfyes.
Incidentet nuk janë të pakta, ndaj ai apelon turistët të mos dalin nëpër male pa një udhërrëfyes të licensuar.
“Ka vite që shohim turistë që humbasin, lëndohen, madje kemi pasur raste edhe fatale, kur kane humbur jeten. Na vjen keq! Ndaj u bejme thirrje të shoqërohen gjithnjë nga guidat lokale gjate eksplorimit te maleve",- shton Pjetri.
Pas gjetjes, ata u transportuan në qytetin e Pukës ku morën ndihmën mjekësore. Me mirënjohje për ndihmën e autoriteteve, dy të rinjtë hollandezë vijuan më pas udhëtimin e tyre në veri të vendit.
Komente
