PUKË- Pas rreth një viti në arrati, autori i vrasjes së Pjetër Kolës në vitin 2022, është vetëdorëzuar në Polici. Maltin Gjini, 37 vjeç, ishte shpallur në kërkim pasi gjykata ka caktuar ndaj masën arrest me burg, pasi akuzohet si autori i vrasjes së Kolës pas një konflikti për parcelën me kanabis.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të DVP Shkodër ndaluan shtetasin Maltin Gjini, 37 vjeç, banues në fshatin Kalivaç, Lezhë, pasi Gjykata e Pukës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”. 37-vjeçari akuzohet se më datë 27.09.2022, në fshatin Kurthpulë, Pukë, ka vrarë me armë zjarri, shtetasin Pjetër Kola për shkak të mosmarrëveshjeve ndërmjet tij dhe viktimës, të cilët dyshohet se kanë qenë bashkëpunëtorë për kultivim të bimëve narkotike”, njofton policia.
Vrasja e Pjetër Kolës ka ndodhur më 27 shtator 2022 në fshatin Kurthpulë të Pukës. Shkak është bërë një mosmarrëveshje mes Kolës dhe Gjinit, të cilët ishin bashkëpunëtorë në kultivimin e kanabisit. Kola ishte bashkë me të vëllanë në vendlindje kur u qëllua me pistoletë nga Maltin Gjini. Ai u transportua me makinë nga i vëllai në spitalin e Shkodrës, ku ndërroi jetë si pasojë e plagëve të rënda.