Itali- Policia italiane ka finalizuar një operacion në Pulja, duke sekuestruar një ngarkesë prej 17 kg kokainë të pastër dhe arrestuar korrierin 50-vjeçar shqiptar.
Aksioni nisi orët e vona të mbrëmjes së mërkurë (27 Nëntor) dhe pëfundoi mëngjesin e sotëm në Leçe.
Ishin agjentët e Guardia di Finanza që ndaluan një makinë që po ecte me shpejtësi në rrugën shtetërore 613, midis Brindisit dhe Leçes.
Automjeti i tipit “Alfa Romeo Giulietta”, në bordin e të cilit ndodhej vetëm shoferi korrier, një shtetas shqiptar 50 vjeç, emri i të cilit nuk u publikua, i është nënshtruar kontrollit të policisë. Karabinierët vunë re nervozizmin e drejtuesit në momentin e ndalimit, duke rritur dyshimet dhe nxitur një kontroll të detajuar. Në këtë moment mjeti u kalua në ambientet e komandës, ku u aktivizuan për nuhatje edhe qentë antidrogë.
Si përfundim, u nxorën nga brendësia 15 pako kokainë me peshë mbi 1 kg secila dhe të mbështjella me celofan të kuq, mbi të cilat ishte stampuar një figurë demi.
Droga ishte fshehur me zgjuarsi në automjet. Shoferi, i njohur tashmë për dosjen e tij specifike kriminale në lidhje me drogën, u arrestua dhe u dërgua në burgun Borgo Sannicola në Leçe, shkruan media italiane.
Kokaina e sekuestruar mund t'i kishte fituar organizatave kriminale rreth 2 milionë euro. Po hetohet edhe për organizatën e narkotrafikut e cila fshihet pas shqiptarit të ndaluar dhe sasisë së drogës së kapur.
Komente
