Pandemia COVID, ‘detyroi’ disa biznese që punonjësit e tyre ta zhvillonin punën e tyre nga shtëpia, pa qenë të detyruar që të paraqiten fizikisht në zyrë. Por disa lloje profesionesh e kanë të pamundur përshtatjen e ‘zyrës; në shtëpi dhe duhet të jenë të pranishëm fizikisht në zhvillimin e saj. I tillë është profesioni i gazetarëve të terrenit, të cilët duhet të jenë në terren aty ku ndodh ngjarje që të pasqyrojnë informacionin për qytetarët. Kështu thotë në një intervistë në emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’ në Report Tv, gazetarja Danjela Maloku.
‘Gazetarët kanë qenë ndër të paktët që nuk e kanë ndërprerë punën gjatë pandemisë. Punoja në emisionin e mëngjesit në Report Tv dhe u mundova për një periudhë kohe të punoja nga shtëpia. Por puna e një gazetarit është e pamundur të bëhet nga shtëpia, pasi detyra jonë është të jemi në vendngjarje e të mbledhim informacion dhe t’ia përcjellim qytetarëve. Për të marrë informacioni dhe për t’ua dërguar qytetarëve ne duhet të jemi në terren. Puna e gazetarit nuk mund të bëhet nga shtëpia, por aty ku është lajmi.’- tha gazetarja Maloku.
Ndërsa për Klea Mustafën, e cila ka një linjë kozmetike ku bën kremra të ndryshëm, thotë se performanca e punëtorëve të saj nga shtëpia ka qenë shumë e mire. Ajo shton se nuk e sheh fare të arsyeshme që të kthehen në zyrë, ndërsa shto se periudha e lock doën ka qenë më e mira për biznesin e saj.
‘Unë kam 4 të punësuar dhe performanca ka qenë shumë e mirë nga shtëpia. Unë nuk e shoh të arsyeshme që të kthehen në zyrë. Periudha e 'Lock doën' për mua ishte një periudhë e artë pasi u rritën blerjet për kujdesin personal.’- u shpreh Klea.
Pranvera Rrapushi, eksperte për tregun online, thotë se produktiviteti i punës në shtëpi, është individual dhe varet nga punonjësit, ndërkohë që shton se nuk ka rëndësi ku zhvillohet puna por sa efektive është.
‘Pandemia bëri një ndryshim të panoramës të të bërit biznes qoftë nga punëdhënësi qoftë nga punëmarrësi. Ishte ai ndryshimi klasik nga zyra në shtëpi që mos të ndalonin aktivitetin. Më parë as nuk konceptohej të punojë nga shtëpia. Duhet ta pranojmë se fillimi është i vështirë. Sa produktive është kjo metodë e të punuarit nga forma klasike, kjo është individuale e punonjësit. Për mua ka rëndësi që punëtori të ketë rezultate. Globalizmi ka favorizuar blerjet online. Boom më i madh kanë ndodhur gjatë karantinës, por edhe gjatë pandemisë. Informaliteti është problemi më i madh që kemi.’- tha Rrapushi.