Pacientë me sëmundje të rënda, janë zvarritur nga mjekët në Onkologjik, të cilët i kanë referuar në privat. Ky është konkluzioni në të cilin ka dalë Ministria e Shëndetësisë pas hetimit administrativ pas skandalit të bërë publik në këtë spital.
Mungesa e shërbimit në spitalet shtetërore dhe orientimi i pacientëve në privat aty ku janë të punësuar mjekët ka shtyrë qeverinë të ndryshojë ligjin për Urdhrin e Mjekut.
“Mjekët nuk ofronin shërbimin shëndetësor të duhur, dhe pacientët vuanin në kalvarin e gjatë të sëmundjeve sidomos atyre onkologjike. Kjo skemë abuzimi, e detyroi qeverinë të marrë këtë akt normativ e gjendur e pasigurt për trajtimin e pacientëve”, thotë Ilirian Pendavinji.
Aktin normativ me ndryshimet, qeveria kërkoi në Komisionin e Shëndetësisë që të shqyrtohej me procedurë të përshpejtuar, por hasi në kundërshtimin e opozitës.
“Nëse qeveria donte të bënte ndryshime drastike duhet ti kishte filluar më parë dhe të sillte një projektligj të plotë nëse donte të sistemonte marrëdhëniet midis mjekëve dhe shërbimit spitalor. Urdhri i mjekut humb pavarësinë e tij si një autoritet i pavarur, kthehet në drejtori të Ministrisë së Shëndetësisë”, pohon Zheni Gjergji.
Ndryshimet thotë opozita duhet të bëhen me projektligj dhe jo akt normativ, ndërsa ndërhyrjet në kufizimin e dypunësimit të mjekëve i konsiderojnë jo ligjor.
“Jam kategorikisht kundër. Është një zallamahi e madhe, që shkatërron pavarësinë e urdhrit të mjekëve, shkatërron pavarësinë e profesionistit të lirë, të drejtat e njeriut. Kërkon kohë. Qeveria ta tërheq si akt normativ dhe ta sjellë si një projektligj të zakonshëm”, shprehet Tritan Shehu.
Me ndryshimet e reja që do të diskutohen të hënën e pritet të kalojnë në seancën e 12 shtatorit, kufizohen orët e punës që mjekët mund të bëjnë në privat në jo më shumë se 12 orë në javë. Madje një mjek që kërkon të punojë njëkohësisht edhe në spital privat do të duhet të marrë fillimisht aprovimin e titullarit të institucionit.
Ndryshimet ligjore i ndalojnë mjekët që ta orientojë pacientin drejt spitalit jo publik ku ai punon. Për shkeljet e mjekëve parashikohen edhe gjoba, e deri tek heqja e të drejtës së ushtrimit të profesionit.