Ndryshimet e ligjit të ri për studentët e Mjekësisë të kërkuara nga Gjykata Kushtetuese për punësimin e detyruar të studentëve të mjekësisë pas përfundimit të studimeve u miratuan fillimisht vetëm në parim këtë të martë në 2 komisione parlamentare.
Shkak u bë fakti se deputetët e opozitës kërkuan nga mazhoranca, që t’u vihen në dispozicion shifra reale për kostot financiare të implementimit të ligjit.
“Ajo që na shqetëson nga i gjithë ky projektligj ishte kostoja. Kemi një shkresë nga MAS dhe MSH, por nuk kemi një konfirmim nga Këshilli i Ministrave edhe Financa. Ajo që unë mendoj është se kjo nuk është një gjë që mund të kalojë pa një dokumente me shkrim”, tha deputetja e PD Zheni Gjergji.
Por, socialistët e e rimblodhën komisionin, ku e kaluan nen për nen me votat e tyre.
Kostot financiare të përcaktuara në relacion, sollën më herët përplasje mes palëve në komisionin e Shëndetësisë, por edhe në atë të Ligjeve.
“6700 euro, kanë gënjyer. U shit si propagandë tek njerëzit. Sot pranohet publikisht që kostoja është 2500 mijë lek të vjetra. Ne kemi votuar në një relacion që është mashtruar parlamenti”, tha Erisa Xhixho, deputete e PL.
“Je sensitive se s’ke qeverisur, ndryshe si thua këto. Klith se s’ke argumente”, u shpreh socialisti Plarent Ndreca.
“Nuk mund të votoj një projektligj që kthen punësimin e detyruar, sidomos për studentët”, tha Enkeleid Alibeaj.
Erzen Tola, sekretar i përgjithshëm i MAS u shpreh se në projektligj është vlera jo më shumë se 500 mijë lek.
“Të jeni të sigurt se nëse e kaloni këtë ligj në seancë, në ditën e parë që do të jemi në pushtet do ta rrëzojmë. Ne jemi për liri dhe jo për mbajtje peng të të rinjve”, theksoi demokratja Albana Vokshi.
I cilësuar si antikushtetues nga opozita, ligji i ri u mbrojt fort nga mazhoranca, që e cilëson lëvizjen e duhur për të përmbushur nevojat e shërbimit mjekësor në treg.