Punët e mira e kanë emrin Grua

9 Nëntor 2011, 05:07| Përditesimi: 10 Nëntor 2011, 15:50

  • Share
Nëse gruaja e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Zonja Michelle Obama, do të vinte në Tiranë, do të ishte vërtetë një lajm shumë i mirë. Por një lajm akoma më i mirë është hapja e një spitali për fëmijët me probleme të autizmit në Shqipëri.

Këtë nismë e merr zonja Liri Berisha dhe ndërmarrja e hapave konkretë për të përmirësuar jetën e për t’u ardhur në ndihmë familjeve që përballen me problemin e vështirë të autizmit, është për t’u përgëzuar.
Edhe zonja Aurela Basha, gruaja e kryebashkiakut të Tiranës, Lulzim Basha, po përpiqet të promovojë bukuritë dhe vlerat e Tiranës, duke filluar me bashkëshortet e diplomatëve.

Gjatë muajit tetor, muaji i sensibilizimit dhe luftës ndaj kancerit të gjirit, edhe Kryetarja e Kuvendit, Zonja Jozefina Topalli, u mobilizua në radhët e para të një marshimi duke bërë thirrje për kontrolle periodike në gji.

Deri këtu çdo gjë shkon shumë mirë. Janë nisma të vlefshme për shqiptarët dhe për vendin. Duhet kapërcyer vetëm një pikë, të cilën gruaja duhet ta marrë përsipër ta kryejë: bashkimi dhe jo ndarja dhe në punët e bamirësisë. Çdo gjë është më e vlefshme dhe më e mbarë nëse ka gjithëpërfshirje. Nuk ka pse, në sipërmarrje bamirësie, të mos përfshihen dhe bashkëshortja e kreut të opozitës, zonja Linda Rama, apo edhe deputete të opozitës. Gra të shoqërisë civile dhe bashkëshorte n ish-Presidentësh.

Ne të shqiptarja.com besojmë shumë në pozitivitetin dhe forcën konstruktive që ka gruaja shqiptare. Për bashkimin, duhen shenja konkrete dhe fjalën e veprimin e kanë gratë e pushtetarëve.

  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?