Lezhë- Përgjegjësi i subjektit ku humbi jetën punëtori gjatë montimit të një skene të shtunën në Shëngjin (19 korrik), do të hetohet me masën e sigurisë "arrest në shtëpi".
Zef Shtjefni, i cili u arrestua nga policia pas ngjarjes, doli para Gjykatës së Lezhës. Në seancën gjyqësore të zhvilluar me dyer të mbyllura, gjykata pranoi kërkesën e prokurorisë, duke e cilësuar të ligjshëm arrestimin e 64-vjeçarit dhe caktoi ndaj tij masën e sigurisë "arrest në shtëpi", ashtu siç kishte kërkuar organi i akuzës, për veprën penale “shkelja e rregullave të sigurisë në punë”.
32-vjeçari Zef Lorenci humbi jetën pasditen e së shtunës, teksa po montonte skenën për një koncert në shëtitoren "Willson" në Shëngjin. I riu ra aksidentalisht në kontakt me rrymën elektrike dhe si pasojë e goditjes, humbi ekuilibrin dhe ra nga një lartësi prej 6 metrash, duke pësuar dëmtime të rënda në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit.
Zef Lorenci, nga fshati Mërqi i Lezhës, ndërroi jetë gjatë transportit për në spital. 32-vjeçari, i martuar dhe baba i dy fëmijëve, ishte djali i vetëm i familjes Lorenci dhe punonte për një kompani private që merrej me organizimin e eventeve.
Komente
