Konferenca e Dytë e Institutit Kombëtar të Fizikës të Akademisë së Shkencave shënoi, këtë vit, një hap të ri në përpjekjet për evidentimin dhe konsolidimin e kësaj njësie të re shkencore si dhe për perspektivat me vlera të studimeve të tij. Të themi me kurajo që, nën drejtimin e fizikanëve më me emër të vendit, ai po ecën sigurshëm në krijimin e një poli shkencor bashkëkohor në fushën e Fizikës dhe të një institucioni të aplikimit e inovacionit për problematikat zhvillimore të vendit.
Krakteristikë e spikatur e këtij eventi këtë vit, lidhet me një pjesmarrje kryesore aktive dhe më të gjerë, të një grupi fizikanësh shqiptarë të rinj, nga institucione kërkimore të rëndësishme amerikane dhe evropiane, me referime në tema të studimeve të tyre bashkëkohore. Nga grupi i fizikanëve nga universitete amerikane, u komunikuan tema e përfundime lidhur me ndikime gravitacionale të materies së errët (Messiah University, Mechanicsburg), gjurmime te vetive magnetike të fotoneve virtualë (Bucknwell University, Lewisburg), veti specifike të fermioneve të lira të kristaleve Pauling (A&M University, Texas), korelime energjitike në bashkëveprimet e kuarkeve të rënda (Yale University).
Nga institucionet evropiane, fizikanët shqiptarë komunikuan rezultate dhe hulumtime lidhur me proceset dielektroforetike dhe magnetoforetike në rrjedhjet e mikrofluideve (Qendra Studimore Secopta Analytics, Teltow, Gjermani), përmirësimi i vetive superprërcjellëse nga efekte magnetike (Instituti i Nanoshkenës dhe Nanoteknologjisë NCSR Demokritos, Athinë), dinamika e të dhënave dhe korelacioni në kohë (Universiteti Kaiserslater, Gjermani), modelime të dinamikës së tufave të grimcave në akseleratorin linear (Technische Universitat, Darmstadt), mbi modelin vortex të superpërcjellësve (Shkolla e Lartë Teknike ETH Zyrih),sinteza e përpunimeve magnetokalorike dhe kalimet fazore (Kapodistrian University, Athinë). Nga Qendra Europiane CERN në Gjenevë, nga specialist shqiptarë u referuan të dhëna në raport me disa modele të fundit të strukturave superpërcjellës si dhe me probleme të detektimit të grimcave të reja në LHC (Përplasësi i Madh i Hadroneve).
Krahas këtyre, u ndoqën me vëmendje referimet kushtuar studimeve shkencore në këtë fushë të lidhura me problematika të vendit si korelacionet ndërmjet thellësisë optike të aerosoleve dhe temperaturës së ajrit (punim i Akademisë së Shkencave dhe Universitetit të Tiranës), korelacionet hapësinore ndërmjet burimeve termale dhe sizmicitetit të qarkut të Elbasanit, segmentimi, analiza dhe rikompozimi i imazhit medikal (punime të Universitetit Politeknik të Tiranës), modelimi i rezervuarëve të naftës në fushën Patos – Marinzë, fushat gjeomagnetike rreth vendburimeve të naftës në vend, trajtimi i astocitomës me terapinë protonike (punime të Universitetit të Tiranës). Këto tematika u shoqëruan me diskutime të gjëra dhe komunikime të tjera mbështetëse të konkluzioneve të tyre, gjë që dëshmoi për vlerën e tyre në problematikat e sotme që paraqiten në zbatimet praktike.
Nga Universiteti i Tiranës u dëgjuan dhe dy kumtesa të fushës së Fizikës Teorike, lidhur me disa interpretime të fundit në vetitë e shfaqura të vrimave të zeza dhe, siç u prit me shumë interes, punimi mbi topologjinë e fermioneve sipas modelit Boriçi – Creutz, lidhur ngushtë me teorinë e modelit përkatës që përmban dhe emrin e fizikanit tonë, të ndjerit Artan Boriçi.
Trevat shqiptare e shqipfolëse u përfaqësuan gjithashtu, si në kuadrin e bashkëpunimeve të ngushta me Akademinë e Shkencave, ashtu dhe me universitetet tona, me punime të lidhura me simulimin kompjuterik të sistemeve makromolekularë, diagnostikën analitike, modulimet matematike mbi lidhjet dhe ndarshmërinë e interferencave dhe difraksionit, depërtueshmëria e heliumit dhe matje kuantike, lëkundjet e dukurive meteorologjike dhe ndryshimet klimatike në Kosovë nga universitete dhe qendra kërkimore nga Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.
Në vijim të sesionit të parë të këtij viti të Institutit lidhur me mësimdhënien dhe programet e lëndës së Fizikës në nivele të ndryshme shkollore, u dëgjuan dhe u diskutua mbi referimet nga Universiteti i Tiranës, Qendra Evropiane CERN në Gjenevë, Universiteti i Prishtinës, Universiteti i Tetovës dhe Qendra pedagogjiko – akademike GIBZ në Svicër, me komunikime për rëndësinë e punës eksperimentale në formësimin konceptual të dijeve në lëndën e Fizikës në arsimin e lartë, vlerësimin e parametrave të aftësive inovative të studentëve të degëve teknike, programet e mësuesisë, implementimin e metodave bashkëkohore evropiane në mësimdhënien e Fizikës si dhe zbatimi i metodologjive të diferencuara në procesin e të nxënit të kësaj lënde shkencore. Rekomandime me vlera u formuluan lidhur me aftësitë inovative dhe formësimin konceptual për formimin e fizikanëve aplikativë dhe mësuesve të rinj.
Rrethi i bashkëpunëtorëve ndërkombëtarë të IKF është i gjërë. Këtë herë, në vijim të drejtimeve të përcaktuara të konferencës, nga CERN Svicër, Universiteti “Diderot” në Paris, Instituti i Nanoshkencës dhe Nanoteknologjisë në Athinë, Qendra Ndërkombëtare e Astrofizikës Relativiste ICRAN, Universiteti “La Sapienza” në Romë, Qendra e Fizikës Teorike dhe Astrofizikës në Jerusalem, Universiteti Kaiserslautern në Gjermani, Universiteti i Peloponezit në Patras, ata sollën komunikime të punimeve të tyre të viteve të fundit në tematika të Fizikës Teorike të grimcave elementare, Astrofizikës dhe Nanoteknologjisë të cilat u dëgjuan me shumë interes nga pjesmarrësit.
*Prof. Marenglen SPIRO Anëtar i Këshillit Shkencor