Kampusi i ri i Akademisë së Forcave të Armatosura, një investim i shtrirë në një hapësirë prej 10 hektarësh, është drejt finalizimit të fazës së parë të projektit.
Kryeministri Rama ishte sot në kantier për të ndjekur ecurinë e punimeve, së bashku me ministrin e Mbrojtjes Pirro Vëngu. Nga ana e tij, Kryeministri Rama tha se, ndonëse afatet e parashikuara për përfundimin e plotë të kampusit janë të rëndësishme, kryesore mbetet cilësia.
“Unë them në të gjitha rastet të kapim patjetër korrikun, por me cilësinë. Në tetor për vitin akademik mbase bëhet gati. Nuk duhet të nxitohemi, duhet bërë çdo gjë perfekt. Është gjithë ky investim, duhet të jetë perfekt. Arkitektura është e bukur, hapësirat janë të bukura, koncepti i brendshëm është i bukur. Unë them që 6 muaj të mira i do kjo që të jetë tamam', tha kryeministri.
Kryeministri tha se me përfundimin e plotë të punimeve, kampusi i ri do të jetë një pikë referimi për të gjithë ushtrinë.
“Ky kampus shpresojmë të mbarojë në dy vitet e ardhshme komplet dhe të jetë një pikë referimi për të gjithë ushtrinë, s’është puna vetëm e studentëve, po edhe e ushtarakëve që të jetë një kampus i standardeve më të larta, të kampuseve të NATO-s, pastaj mbase edhe avancimi i projektit që kemi për ata akademinë që duam të sjellim nga vendet aleatë, do jetë super pastaj dhe do të mund pastaj që ne të japim shërbime për të tjerë që të sjellim të ardhura në buxhetin e mbrojtjes. Plus me industrinë jemi duke ecur mirë dhe kemi vënë disa baza të mira për të ndërtuar një industri të re ushtarake, prodhimi e armatimi. Dhe komponenti i tretë Ministra e Mbrojtes në mbështetje nga turizmi për të vendos një sërë asetesh në dispozicion të turizmit që Ministria e Mbrojtjes të mbajë një pjesë të pronësisë, duke marrë të ardhura”, u shpreh ai.
Ndërkohë, ministri Pirro Vengu, tha se punimet pritet që të përfundojnë brenda korrikut.
“Në këtë repart të Tufinës, praktikisht jemi në një njollë prej 45 ha, 10 ha janë të dedikuara tërësisht për Akademinë e Re të Forcave të Armatosura. Masterplani presupozon 3 faza, është duke u finalizuar pjesa e parë, e cila parashikon një objekt kryesor për fakultetin e Sigurisë dhe Mbrojtjes që është shtylla kryesore e akademisë në fakt ku kemi rreth 300 studentë, të cilët do të akomodohen qenë sezonin e ardhshëm me përfundimin e punimeve.
Përfundimi i punimeve parashikohet nga inxhinierë praktikisht brenda korrikut. Këtu jemi në zonën e parë që kemi rehabilituar tërësisht një godinë të vjetër të repartit ku do jetë dhe mensa, e cila ka të gjitha kapacitetet për tërësinë e stafit dhe tërësinë e personelit dhe të studentëve që në fazë të parë dhe do vijojnë pastaj më poshtë me godinën kryesore, e cila është në përfundim e sipër.
Masterplani parashikon në fazë të dytë edhe të gjithë elementët mbështetës, fushat sportive, konviktin, të cilin jemi duke e dizajnuar me arkitektët ndërkombëtare në mënyrë që e gjithë akademia të ketë mundësi pastaj që të rrisë edhe numrin e studentëve’, tha ministri.
Kampusi do të ofrojë godinë mësimore, konvikti, qendra shëndetësore, kinemaja, palestra, pishina e mbyllur, terrenet sportive dhe ato të stërvitjes ushtarake në natyrë, si poligonet, pista e vrapit, kulla e alpinizmit, etj. Akademia e re do të ketë si fillim 300 studentë dhe degë të reja, përfshirë dhe inteligjencën artificiale, ku do të ketë diploma të përbashkëta me Universitetin Politeknik në degë të caktuara, por dhe binjakëzime me Akademitë e vendeve aleate të NATO-s.
Komente
