Banorët e fshatit Picallë dolën sërish në protestë. Sipas tyre kompania private Shijaku Sh.p.k po zapton pronën e tyre private të cilën ata e kanë të trashëguar.
Në protestën e tyre të radhës banorët ishin së bashku me avokatin e tyre Arsen Çaushaj i cili u shpreh se disa banorë po e ndjekin çështjen në rrugë gjyqësore. Vendosjen e dy portave të hekurta në të dyja anët e rrugës avokati e konsideroi të jashtëligjshme.
“Papritur shteti apo dikush tjetër është kujtuar për t’ua marr këtë pronë dhe për t’ia dhënë dikujt tjetër. Ajo nuk është pronë shtetërore. Është pronë e atyre që e kanë blerë atë para reformës agrare dhe trashëgimtarët e tyre disponojnë gjithë drejtën ligjore për të qenë pronar të asaj prone të cilët ua kanë lënë në trashëgim prindërit e tyre apo gjyshërit e tyre. Unë nuk mendoj që ne të kthehemi mbrapsht , pra që këto prona që janë prona private, shteti t’i ketë si pronë të tij të cilat i sekuestroi para vitit 46.”
Rreth 200 banorëve të Picallës të cilëve u preket prona e tyre, sipërfaqe pyjore thonë se nuk do të lejojnë vjedhjen e pronës së tyre të cilët të parët e tyre i kanë blerë me flori.
“Unë nuk e di kush është kompania. Është kompani fantazmë”.
“Ne kemi gjithë dokumente të vjetra, jemi autokton. Të vij privati këtu e të na marri tokën me 1 mijë lekë që gjyshi e ka blerë me gjak e me flori, unë nuk e di Ne kemi 20 dynym me letrat e Zogut.”
“Ata tokën tonë nuk e gëzojnë, nuk e lëmë te toka”
“U bë 2 javë këtu dhe s’ka ardhur asnjë përfaqësues të kontaktoj me ne. Portat që i prishëm herën tjetër i kanë ndërtuar sërish”
Shoqëria “Shijaku” SHPK po punon në zonë për ngritjen e qendrave të organizuara sociale, por sipas banorëve askush nuk ka shkuar tek to për të zhvilluar bisedime dhe të bëj transparent projektin.