Qeveria ka vendosur t’ju jap edhe një mundësi punonjësve që kanë qenë të padeklaruar që të përfitojnë nga paketat e qeverisë nëse kanë dalë të papunë si pasojë e COVID-19. Këshilli i Ministrave ka ndryshuar vendimin për programin e ri-punësimit, duke shtuar si përfitues edhe këtë kategori.
“Punëkërkuesit me të drejtë përfitimi për programin, janë ata të cilët deklarojnë që kanë qenë të punësuar, por nuk evidentohen si të tillë në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe regjistrohen në zyrën e punësimit”, thuhet në vendimin e publikuar në Fletoren Zyrtare.
Ata që kanë punuar në të zezë dhe kanë humbur punën si pasojë e masave të ndërmarra për të ndaluar përhapjen e pandemisë do të përfitojnë nga faza e tretë e këtij programi i cili parashikon që shteti të marrë përsipër për një periudhe 1-vjeçare subvencionimin vetëm kostot e sigurimeve të detyrueshme bazuar në pagën minimale në vend.
Ndërkohë nga dy fazat e para të programit do të përfitojnë punëkërkuesit që kanë dalë të papunë si pasojë e COVID-19, dhe që janë regjistruar në zyrat e punësimit.
Kjo është mundësia e dytë që ju jepet punonjësve të padeklaruar për të përfituar nga nismat e qeverisë, pasi gjatë karantinës kryeministri Edi Rama iu kërkojë që të denonconin biznesin ku punonin në të zezë në mënyrë që të përfitonin nga pagat e luftës. Kjo mundësi nuk u shfrytëzua nga asnjë punonjës informal.