Një punëtor nga Shqipëria ka ndërruar jetë në Maqedoni nga koronavirusi. Viktima është 44-vjeç. Gazetari Zekirja Mexhiti nga Shkupi thotë për Report Tv se shqiptari punonte në ndërtim në Kavadar, zonë në të cilën kishte marrë edhe një banesë me qira, ku jetonte i vetëm.
Prej datës 31 mars, ai nuk kishte shkuar në punë. Tre shokët me të cilët kishte shkuar në Maqedoni ngritën shqetësimin te autoritetet. Policia i shkoi në banesë, ku e gjeti pajetë. Nga autopsia rezultoi se shqiptari kishte qenë prekur me koronavirus, por nuk kishte kërkuar ndihmë sipas autoriteteve. 44-vjeçari dyshohet se kishte ndërruar jetë prej të paktën tre ditësh.
Ndërkohë që pesë efektivët e policisë që i shkuan në banesë dhe e gjetën të vdekur janë izoluar, në pritje të analizave nëse janë prekur me koronavirus, pasi shqiptari rezultoi se ishte i infektuar. Deri tani jashtë kufijve, përveç rastit të Maqedonisë, ndërruan jetë edhe dy shqiptarë pak ditë më parë në Itali dhe tre në SHBA.