KUKËS- Avokati Arian Cengu, ish-shofer në prokurorinë e Kukësit, është arrestuar nga SPAK me akuzën e ushtrimit të ndikimit të paligjshëm me qëllim lirimin e një të prangosuri. 38-vjeçari i cili aktualisht punonte si avokat, akuzohet se ka ndikuar në mënyrë të paligjshme, në vitin 2021 kur ishte punonjës në Prokurorinë e Kukësit, për lehtësimin e masës së sigurisë, ndaj shtetasit Fatri Iseberi, i arestuar për kundërshtim të punonjësve të policisë.
“Ndikoi në mënyrë të paligjshme, në vitin 2021 kur ishte punonjës në Prokurorinë e Kukësit, me qëllim që të lehtësohej një masë sigurie, vihet në pranga 38-vjeçari, aktualisht me profesion avokat. Ndalimi i këtij shtetasi, rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, në DPPSH, dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës", njofton policia.
Në kohën e kryerjes së veprës penale, sipas SPAK, Arian Cengu ka qenë me detyrë shofer i Prokurorisë së Kukësit. Ndërkaq, pas lirimit nga burgu, Fatri Iseberi ka arritur të punësohet në Policinë e Shtetit, por në vitin 2022, përfundoi sërish në pranga. Ai rezultoi nga përgjimet, si i implikuar në aferën e kalimeve të paligjshme në pikën kufitare të Morinës mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Report Tv ka raportuar më parë se nga hetimi ka rezultuar se policët i merrnin qytetarëve minimalisht nga 10 euro-100 euro, për vepra të ndryshme penale, si kontrabanda, sende të tjera të kundraligjshme etj, të cilat i ndanin më pas me njëri tjetrin në fund të turnit. Ndërsa fitimet ndërmjet tyre arrinin deri në 8000 euro në ditë.
SPAK ia ka kaluar dosjen për gjykim GJKKO-së, ndërsa Iseberi akuzohet për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” e kryer në bashkëpunim dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” i kryer në bashkëpunim.