Një pusete në lagjet numër 5, është kthyer në problem për bizneset të cilat operojnë në këtë zonë. Prej disa ditësh ujërat e zeza kanë dalë mbi sipërfaqen e rrugës dhe kanë ndotur trotuarin.
Megjithëse ushqimore, klinika dentare dhe biznese të ndryshme ndodhen vetëm 2 metra larg kësaj pusete, ujërat e të cilës janë shpërndarë kudo, UKD nuk ka reaguar për zgjidhjen e situatës, pavarësisht ankesave të bizneseve dhe të banorëve të cilët duhet të përballen çdo ditë me aromat e pakëndshme dhe ndotjen.
Pronarët e kësaj zonë deklarojnë se kjo situatë është prej vitesh me këtë pusetë e cila çdo dy javë shkakton të njëjtën ndotje dhe duhet ditë të tëra që kjo të zgjidhet nga ana e instancave përkatëse.
Report Tv ka kontaktuar përfaqësues të këtij institucioni, por e vetmja formë për të dhëne një pergjigje ka qene ajo nëpërmjet një deklarate me shkrim duke sqaruar se ndodhin vazhdimisht bllokime.
“Problematika e zonës në fjalë është e tillë që ndodhin vazhdimisht bllokime. Punonjësit e sektorit të kanalizimeve kanë ndërhyrë menjëherë sapo është bërë njoftimi nga banorët që kanë banesat e tyre në këtë vend. Bllokimet mund të vijnë për arsye të ndryshme, sic janë materialet e ndryshme që hidhen në puseta dhe rrjetin e kanalizimeve. Situata mund të ketë përmirësim nëse do të behet një rrjet i ri kolektorësh, gjë që për momentin SHRUKD nuk ka mundësi ta bëjë me mundësitë që ka.”- thuhet në përgjigjen për Report Tv.