'Pushime kolektive nga puna'/Qosja për Report Tv: Mars-prill 650 ankesa nga punonjësit! Fasoneritë dhe Call Center në krye të listës (VIDEO)

9 Maj 2020, 16:05| Përditesimi: 9 Maj 2020, 18:57

  • Share

TIRANË- Vetëm në dy muajit e parë të përhapjes së pandemisë COVID-19, edhe në vendin tonë, pranë Inspektoratit Shtetëror të Punës janë bërë 650 ankesa nga punonjësit, për arsye të ndryshme e kryesisht ankesat më të mëdha janë bërë nga sektori i fasonerive dhe Call-center. Shifrat konfirmohen për Report TV nga Irida Qosja Përgjegjëse e Inspektimit për Marrëdhëniet e Punës, pranë Inspektoratit të Punës.

“Nëse gjatë gjithë 2019-ës, ne regjistruam dhe trajtuam, ankesa, kërkesa për informacion dhe denoncime 834 raste gjithsej, vetëm për periudhën mars-prill, kjo shifër ka vajtuar në 650 raste. Call-center dhe fasoneritë janë në krye të listës”, shprehet Irida Qosja.

Ankesat më të mëdha janë për largime kolektive nga puna dhe mospagesë të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, duke bërë që ata të mos përfitojnë ndihmat financiare.

“Në kufizimet e para që u bënë në kuadër të pandemisë pranë nesh pati një bum me kërkesa për informacion nga ana e bizneseve, pra punëdhënësve pasi edhe vetë ato nuk ishin të qartë se si do të qaseshin në një situatë të tillë. Adresimin më të madh në fakt ne e kemi nga punëdhënës që kanë numër të lartë të punësuarish. Shumë biznese kanë deklaruar pushimin kolektiv të punonjësve, pra kanë shkarkuar njëherësh shumë persona. Kemi pasur të cilët janë adresuar për mos derdhjen në kohë të kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore dhe punëmarrësi nuk përfiton nga mos derdhja e këtij detyrimi në të tillë situatë”, thekson Përgjegjësja e Inspektimit për Marrëdhëniet e Punës .

Sipas saj gjatë kësaj periudhe janë trajtuar një sërë çështjesh dhe ankesash të adresuara pranë inspektoratit që kanë marrë një zgjidhje, ndërkohë sa i takon ankesave dhe protestave të zhvilluara nga punonjësit e fasonerisë Korçë, Qosja thotë që është në proces shqyrtimi. “Për fasonerinë e  Korçës është më proces është trajtuar dhe Inspektorati i Korçës është në ndjekje të rastit”, thotë Qosja.

Nga ana tjetër Irida Qosja thotë se ka pasur një përgjigje pozitive nga bizneset që zbatojnë protokollin e kuq, pasi janë raportuar 205 subjekte që kanë punësuar mjekun në ndërmarrje.

“Aktualisht kemi një database të njoftimeve. Unë po ju them se që nga momenti i njoftimit e deri më sot ky numër ka shkuar në 205 subjekte që kanë njoftuar të dhënat e mjekut dhe kontratën e mjekut”, deklaron ajo.

Protokolli i kuq aktualisht zbatohet nga fasoneritë, call center, dhe pritet të zbatohet pas hapjes së aktiviteteve edhe nga baret e restorantet, qendrat tregtare dhe klinikat dentare.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?