Pushime në vjeshtë, hotelet në Shëngjin ulin çmimet! Rezervimet për shtatorin deri në 70 përqind, dominojnë pushuesit nga Kosova

31 Gusht, 15:29| Përditesimi: 31 Gusht, 16:13

  • Share

Fundi i gushtit e gjen Shëngjinin të tejmbushur me pushues, ndërsa pritshmeritë janë të larta edhe për shtatorin. Rezervimet në njësitë akomoduese shkojnë 60 deri në 70 për qind për dy javët e para të shtatorit. Shqiptarët e Kosovës që vijnë përmes agjencive turistike apo dhe privatisht zënë numrin më të madh të pushuesve në Shëngjin, por nuk mungojnë as të huajt nga vendet e Europës.

“Në shtator presim të kemi më shumë punë se një vit më parë referuar prenotimeve. Këtë vit numri i turistëve të huaj është rritur. Shpresoj se do të vazhdojë deri në mesin e tetorit, nëse do jetë koha e mirë”, u shpreh Zef Doçi, operator turistik.

Për të tërhequr turistët, hotelet dhe resortet në Shëngjin kanë dalë me paketa të reja për muajin shtator me çmime më të lira se në gusht. Një natë qendrimi në hotel, përfshirë dy vakte, mëngjes dhe darkë kushton mesatarisht 30 euro për person. 

“Kemi rezervime për shtatorin, sidomos për javën e parë të muajit, ku janë rezervuar të gjitha dhomat. Paketat i kemi ulur të gjitha me 20 për qind krahasuar me çmimet e verës", tha Xhulio Nikolli, menaxher i një hoteli.

Shëngjini në Lezhë është një nga zonat më të frekuentuara në vend që dallohet për plazhet me rërë, detin e pastër, qetësinë dhe çmimet e leverdisshme. Njësitë akomoduese janë shtuar dhe sot kapaciteti në total, nga Rana e Hedhun deri në Kune përllogaritet në 25 mijë shtretër.

R.D/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?