Një raund i ri pushimesh nga puna në Meta është njoftuar sot nga Mark Zuckerberg. Gjigandi i teknologjisë do të shkurtojë 10,000 vende pune, afërsisht 13% të fuqisë së tij punëtore.
“Është e vështirë, por nuk ka rrugëdalje”, shpjegoi Zuckerberg në njoftimin e tij të gjatë.
Nga njëra anë ai vlerësoi punonjësit e talentuar të kompanisë, por nga ana tjetër shpjegoi planet e reja.
"Gjatë dy muajve të ardhshëm, udhëheqja e organizatës do të shpallë plane ristrukturimi të fokusuara në thjeshtimin e strukturës së menaxhimit të organizatës sonë, anulimin e projekteve me prioritet më të ulët dhe uljen e normave të punësimit," tha Zuckerberg në një deklaratë.
Nisur nga këto, totali i stafit do të reduktohet më tej me 10 mijë persona, ndërsa 5 mijë vende të tjera vakante do të “mbyllen”, pasi nuk do të plotësohen.
Në mesazhin e tij, Zuckerberg argumentoi se viti 2023 do të jetë "viti i efikasitetit" dhe se kompania synon të thjeshtojë organizimin e saj duke eliminuar shtresa të shumta të menaxhimit.
Raundi i ri i pushimeve nga puna pason një raund të mëparshëm pushimesh nga puna të shpallur në nëntor që preku më shumë se 11,000 punëtorë.Kompania, e cila zotëron gjithashtu Instagram dhe WhatsApp, pa një ngadalësim në të ardhurat e saj nga reklamat, duke e çuar atë të raportojë një rënie të shitjeve vjetore për herë të parë në 2022.
Numri i punonjësve të gjigantit të mediave sociale u rrit me 30% në vitin 2020, vitin e parë të pandemisë, dhe më pas me 23% në 2021. Në kohën kur Meta filloi shkurtimin e vendeve të punës nëntorin e kaluar, kompania kishte më shumë se 87,000 punonjës.