Brisida Shehaj, Agim Nesho dhe Ilir Meta

Pushka top t’u bëftë, zonja Shehaj!

2 Gusht 2022, 17:28| Përditesimi: 2 Gusht 2022, 17:32

  • Share

 “Dy emërimet e kryeministrit Rama në postet e rëndësishme të drejtimit të sistemit Doganor dhe Tatimor shqiptar, ishin me të vërtetë befasuese. Të tjerë emra ishin përfolur këto kohë, dhe të tjera dolën. Pra, ishin në njëfarë mase surprizë.

Surpriza shtrihet edhe më tej, te fakti i të qenurit të të dyjave gra (vajza), mosha e tyre e re si dhe mos eksperienca e mëparshme në sektorët e administratës publike. Aq më tepër që janë jo vetëm sektorë nevralgjik, por kanë edhe peshën e rëndë të presionit për vetë specifikën dhe interesat që bartin.

Të dyja këto drejtuese të reja janë të brezit që rrëzimi i regjimit komunist i gjeti në klasë të parë fillore, ndërkohë që riardhja në pushtet e ish- kryeministrit Berisha në 2005-ën i gjeti në moshat respektive 21 dhe 22 vjeç. Sot ajo janë 30 vjeçare, po aq sa ishin edhe ish kryeministrat Majko dhe Meta kur morën mbi supe drejtimin jo thjesht të një institucioni, por të vetë ekzekutivit shqiptar.

Në ndryshim nga zj. Spiropali e cila ka një karrierë politike si drejtuese e FRESSH-it, zj. Shehaj është fare e panjohur në publik, aq sa ndonëse u përpoqa të gjeja diçka në Google për të, s’kish kurrfarë informacioni, as me fotografi e as me të dhëna.

Megjithatë, ato u bënë shumë shpejt objekt sulmi nga shtypi i opozitës. Dhe, duke qenë se ky shtyp është pasqyra ku reflektohen qëndrimet e opozitës, më duhet që herë pas here ta marr si objekt analize qëndrimin e saj dhe konkretisht gazetën RD.

Duke mos patur mundësi për t’iu nxjerrë të dyjave probleme me të shkuarën, të tilla që lidhen me afera korruptive dhe shpërdorime të fondeve publike, kjo gazetë ishte përpjekur që të nxirrte në pah anë të tjera.

Qysh në faqe të parë, kish nxjerrë një foto të zj. Shehaj me rroba banje gjatë pushimeve në plazh, duke e shoqëruar në brendi me këtë koment: “Se çfarë mund të bëjë më mirë kjo drejtoreshë e Tatimeve, flasin vetë fotot e saj....”. Në fakt do të çuditesha nëse zonja në fjalë do ishte duke pushuar buzë detit e veshur me triko leshi, por që jesh duke u shulluar në diell e veshur me bikini, vetëm këtyre të RD-së u bëka përshtypje.

Sa për moshën, në fakt, ndonjëherë duhet njëfarë eksperience. Por, kur mendon që në krye të Shqipërisë deri dje kemi patur një kryeministër me shumë eksperiencë qysh nga regjimi komunist dhe e dimë se për ç’punë të mbrapshta i vlejti ajo, themi më mirë ky brez i ri që nuk ka ngarkesa emocionale, që nuk është i lidhur me interesa të ngushta që vijnë nga bota e biznesit, sesa disa tipa demek me “eksperiencë”, por që diku e kanë ngjyer gishtin në mjaltin e korrupsionit.

Fakti që për këtë të fundit të dy këto emërime nuk patën asnjë akuzë nga opozita, më bën të ndjehem mirë. Por fundja, për çfarë u vlejti eksperienca dy ish drejtuesve të mëparshëm, kur mosrealizimet, si nga Dogana ashtu dhe Tatimet, arritën në shifra rekord?

Ka ardhur koha që njeriu të nisë të vlerësohet nga ajo që do të bëjë dhe jo nga ajo që ne mendojmë apo parashikojmë se si do ta bëjë. Përsa kohë s’janë provuar në detyrë, atëherë t’i lëmë hamendësimet dhe paragjykimet. T’u japim kohën e nevojshme për të na treguar nëse dinë të drejtojnë apo jo dhe pastaj këtu do të jemi, si ne, si RD-ja, për t’ua bërë bilancin e sukseseve a dështimeve që të dyjave.”

Shkrimin e mësipërm me titull: “Mos i shiko gunën, po shikoji punën!”, e kam publikuar tek gazeta “TemA” më datë 2 tetor 2013, ditën që zonja Shehaj ishte emëruar drejtoreshë e Tatimeve mes paragjykimeve se ajo ishte një emër i panjohur që vinte si një punonjëse e një filiali banke e nivelit të dytë. Paragjykimi më i madh i erdhi nga opozita e cila e sulmoi qysh ditën e parë të punës.

Qeveria “Rama 1”, kishte vetëm 17 ditë në detyrë dhe pritshmëritë ishin që në poste kaq të larta të ishin figura të njohura të PS-së, nga ata që kishin lënë gjurmë gjatë opozicionit 8 vjeçar. Por siç e kam theksuar edhe në shkrimin më lart, Rama donte të jepte shembullin e drejtimin të një institucioni me rëndësi siç janë taksat, me figura të papërlyera me qeverisjet e kaluara socialiste si dhe të jepte një sinjal për të rinjtë për t’u bërë pjesë e qeverisjes.

Zonja Shehaj qëndoi në atë detyrë për 3 vite, deri më datë 22 shtator 2016, ku pas një bisede që pati me kryeministrin Rama ajo largohet si drejtoreshë e Tatimeve dhe emërohet prej tij si zëvendësministre e Ekonomisë. Por vetëm pas 2 muajsh, më datë 24 nëntor 2016, zonja Shehaj jep dorëheqjen nga detyra e zv. ministres.

Ka disa vite që ajo i ishte bashkuar LSI-së së Monikës dhe tashmë pranë Partisë së Lirisë së Ilirit. Është një prej zërave më të betuar që ka si motiv rrëzimin sa më shpejt nga pushteti të kryeministrit Rama. Një person që erdhi me katapultim në poste të larta shtetërore, që në të dyja detyrat është larguar me dëshirën e saj dhe për asnjë çast nuk ka pasur presionin më të vogël prej eprorit kryeministër, është kthyer sot në një “armike” e betuar e tij!

Ironia e fatit është që sa herë e kanë pyetur rreth marrëdhënieve zyrtare midis saj dhe kryeministrit, ajo ka deklaruar se ato kanë qenë korrekte dhe Edi Rama nuk i ka ndërhyrë kurrë në punën e saj. Pyetja më intriguese në këtë rast është që në ato detyra, sidomos si drejtoreshë Tatimesh, do kishte apo jo ndërhyrje prej Berishës a Metës po të ishin ata në vend të Ramës?

Nga historiku i qeverisjeve Berisha - Meta, padyshim që do të kishte pasur ndërhyrje. Po ju jap vetëm një rast, ish-ministrin e ndjerë Dritan Prifti, sa për një shembull ilustrues. Aty do të kishim parë karakterin e vërtetë të zonjës Shehaj, sesi do u kishte rezistuar atyre ndërhyrjeve. Dhe për ta kuptuar se çfarë është t’i shpallësh “luftë” Berishës dhe Metës, siç po bën ajo sot me Ramën, do donim ta shihnim ta bënte këtë betejë me ata të dy.

Pushka top t’u bëftë, zonjës Shehaj! Uroj të keni sa më shumë sukses në detyrën tuaj të re, atë të denoncueses së korrupsionit qeveritar të Ramës, nën flamurin e Partisë së “pakorruptuar” të personazhit I.M. Por personalisht më mjafton që të shoh se nga cila foltore i ngrini akuzat, që të mos ju marr seriozisht në ato që thoni. 

G.MO/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Fifi: 02/08/2022 18:16

    Flluska sapuni per te shpetu IM qe i paguan me floririn e vjedhur.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?