Selia e PD

Pushteti dhe dhuna

7 Janar 2022, 14:21| Përditesimi: 7 Janar 2022, 14:22

  • Share

Në politikë ka gjithmonë një “histori” për të treguar dhe, kur rrëfimi përfundon, duhet të shpikësh mjete jashtë saj për të justifikuar veprimet, për të mbajtur njerëzit të karrikuar dhe për të pasur vazhdimësi të aksionit.

Gjatë kësaj periudhe, Sali Berisha ka pasur një kreativitet letrar të jashtëzakonshëm. Ai ka shpikur një komplot kundër tij, me aktor vendas dhe të huaj; ka arritur të bindë një masë besnike rreth vetes se ai është viktimë e ruajtjes së interesit kombëtar, duke portretizuar përditë e më zi një kundërshtar të pabesë, të marrë peng, të shitur tek armiqtë.

Ndërkohë që retorika ka qenë e mbingopur me figuracion të pasur stilistik, të mbijetosh në politikë ka nevojë për aksion konkret në terren.

Si politikan me përvojë, ai e di se mbështetja ka ardhur duke u tkurrur edhe për faktin se besnikët që e ndjekin duan të shohin një produkt konkret, të prekshëm, të angazhimit të tyre, ashtu siç u është premtuar.

Pse Berishës i intereson dhuna?

Sepse në një shkëmbim vlerash, ai do ta kishte të pamundur të mbronte alibinë e tij për këtë aksion kundër Lulzim Bashës. Ndërkohë që në dhunë nuk ka arsye, por vetëm fyerje, qëndrime emocionale.

I nevojitet dhuna, sepse në rrugë institucionale, në një debat të hapur dhe serioz, ai e di shumë mirë se rruga që ka ndjekur ka qenë vetëm për të fshehur hallin e tij, duke nxjerr në pah dobësinë e tij njerëzore dhe duke mos pasur fuqi për t’u tërhequr.

Nëse do të ishte shumicë në numra, nëse do të ishte i qetë me ndërgjegjjen e tij se rruga e ndjekur është ligjore, do të priste vendimin e gjykatës, pa pasur nevojë për t’i futur demokratët në konflikte të panevojshme mes tyre.

Një ndër dallimet më të rëndësishme mes pushtetit dhe dhunës janë numrat. Të kesh pushtet do të thotë të kesh një numër të madh mbështetësish, ndërsa të realizosh dhunë nuk ke nevojë fare për mbështetje të madhe, sepse atë mund ta realizosh edhe me një numër të vogël, që mund të japin idenë e shumicës dhe të forcës.

Sipas Hannah Arendt-it, “sundimi me anë të dhunës vjen në çastin kur pushteti është humbur, sepse pushteti dhe dhuna janë dy të kundërta”.

Me protestën e thirrur prej tij në dyert e PD-së dhe me nevojën e domosdoshme për ushtrimin e dhunës, Berisha po tregon se ai e ka të qartë pamundësinë e marrjes së Partisë Demokratike në mënyrë të rregullt.

Ai do të tregojë se problemin e tij me SHBA-në do ta bëjë çështje kombëtare dhe PD-në ta rreshtojë në betejën e tij dhe të familjes së tij, duke e shndërruar atë në një parti të shpërfillur ndërkombëtarisht.

Në fakt, dhuna e ushtruar në dyert e PD-së mund të jetë edhe fundi i të gjithë lëvizjes së tij, sepse dhuna nuk mund të jetë asnjëherë rruga e duhur për të arritur pushtetin.

Pushteti nuk ka nevojë asnjëherë për justifikime dhe për retorikë, por për legjitimitet, të cilin Berisha e di që nuk e ka, ndërsa dhuna që ai shpreson të realizojë nuk mund të jetë asnjëherë legjitime.

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?