Protesta e studentëve në Novi Pazar

Kosova & Rajoni

Pushteti në Serbi akuzohet për përdorimin e 'kartës nacionaliste' në Novi Pazar

31 Korrik, 20:47| Përditesimi: 31 Korrik, 20:50

  • Share

“Narrativi që po përpiqen ta shpërndajnë i përket të kaluarës”.

Kjo ishte përgjigja e studentit të Universitetit Shtetëror në Novi Pazar, Amar Liçina, ndaj një serie fyerjesh nga tabloidet proqeveritare dhe përfaqësues të pushtetit në drejtim të popullsisë boshnjake në Novi Pazar, në jugperëndim të Serbisë.

“Një përpjekje klasike për të larguar vëmendjen nga ajo që ndodhi realisht në Novi Pazar”.

Në natën mes 27 dhe 28 korrikut, një grup burrash të maskuar i dëbuan me forcë studentët që kishin bllokuar Universitetin Shtetëror në Novi Pazar. Ata ishin të shoqëruar nga rektorja Zana Doliçanin.

Më pas u organizua një protestë ku morën pjesë qindra studentë e qytetarë. Protestuesit u përplasën me policinë dhe pati arrestime.

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë njoftoi se policia kishte ardhur gjatë natës me kërkesë të udhëheqjes së Universitetit Shtetëror, me qëllim ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike.

“Incidentet u provokuan nga rektorja Zana Doliçanin – po të mos kishte hyrë ajo dje në ndërtesën e Universitetit me burrat me kapuça të zinj, asgjë nga kjo nuk do të kishte ndodhur”, tha studenti Amar Liçina.

Ai thekson se në bllokadën e Universitetit Shtetëror të Novi Pazarit (USNP) kishte studentë si boshnjakë, ashtu edhe serbë.

“Ndër qytetarët në protestë kishte edhe serbë, edhe boshnjakë. Kishte gjithashtu policë serbë dhe boshnjakë”.

“Pra, këtu nuk bëhet fjalë për probleme ndëretnike, por për veprim antikademik”, përfundon ai.

Në fund, policia u tërhoq, studentët u rikthyen në ndërtesën e universitetit dhe shpallën “fitoren”.

Ndërkohë, pothuajse njëkohësisht, tabloidet publikuan përmbajtje të mbushura me fyerje, kryesisht në baza fetare, ndaj boshnjakëve – të cilët përbëjnë shumicën e popullsisë në Novi Pazar.

Ata u akuzuan për ekstremizëm dhe për sulm ndaj shtetit.

Me një gjuhë më të zbutur se ajo e tabloideve, por me një mesazh të ngjashëm, për qytetarët e besimit islam foli edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një paraqitje në televizionin Informer, deklaroi se ajo që ndodhi në Novi Pazar ishte “e organizuar politikisht”, sipas tij, me urdhër të disa “opsioneve haptazi antiserbe”. Ai nuk dha asnjë dëshmi për këto pretendime.

Ndërkohë, tabloidet kanë publikuar një sërë titujsh dhe tekstesh ku protestuesit në Novi Pazar janë etiketuar me terma nxitës dhe ofendues si: “islamistë”, “xhihadistë”, “ekstremistë”, “huliganë muxhahedinë të bllokadës”.

Politologu nga Novi Pazari, Fahrudin Kladniçanin, konsideron se pretendime të tilla janë plotësisht të pabazuara.

“Ne tashmë 12-13 vjet nuk kemi probleme me lëvizjet radikale vehabiste në Sanxhak. Situata është plotësisht nën kontroll, kështu që nuk shoh asnjë arsye pse kjo po dramatizohet”, tha ai.

“E kuptoj funksionin e tabloideve dhe mënyrën si janë vënë në shërbim të makinerisë së regjimit, por Novi Pazari dhe boshnjakët që jetojnë aty absolutisht nuk e meritojnë këtë”, shtoi Kladniçanin.

Kjo retorikë synoi delegjetimimin e protestës studentore dhe nxitjen e ndasive etnike, duke i zhvendosur akuzat nga përmbajtja e protestës drejt përkatësisë fetare apo etnike e pjesëmarrësve.

Një nga tezat e tabloideve, po ashtu pa paraqitur ndonjë dëshmi, ishte se “serbët e Novi Pazarit kanë frikë për sigurinë e tyre gjatë natës”.

Duke e komentuar këtë, studenti Amar Liçina thekson se qytetarët e Novi Pazarit, si boshnjakë ashtu edhe serbë, e shohin njëri-tjetrin si vëllezër e motra.

“Unë mendoj se ato net kur serbët në Novi Pazar kanë pasur frikë, nuk kanë ardhur kurrë. Ne asnjëherë nuk jemi përçarë – ai që na përçan është në postin e presidentit të shtetit”, shtoi ai.

Përmes përpjekjeve për të nxitur përçarje ndëretnike, pushteti po përpiqet të zhvendosë vëmendjen nga kriza e thellë shoqërore dhe politike që po përjeton i gjithë vendi, vlerëson politikologu Fahrudin Kladniçanin.

"Gjatë 30 vjetëve të fundit të fundit, Sanxhaku gjithmonë i ka shërbyer Beogradit si një 'hedhje hi syve’ për të shmangur vëmendjen nga problemet reale në vend dhe për të 'anesteziuar' një pjesë të opinionit publik me pretendimin se gjoja populli serb është i kërcënuar në Novi Pazar – një gjë që është plotësisht e pabazë”, theksoi ai.

Ai vlerësoi se presidenti i Serbisë po i drejtohet një pjese të elektoratit të tij që “ka afinitete radikale”.

“Retorika e tij përputhet vërtet me politikën nacionaliste e radikale të viteve ’90 – ‘kemi një armik’. Sot, ai armik janë boshnjakët, myslimanët”, tha Kladniçanin.

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, deklaroi pas protestës se janë ndaluar 10 persona që kanë marrë pjesë në incidentin para Universitetit Shtetëror në Novi Pazar, duke shtuar se të gjithë ata që kanë sulmuar policinë do të ndiqen penalisht “pa marrë parasysh përkatësinë etnike”.

Daçiq tha po ashtu se është “gënjeshtër” që ekziston ndonjë fabrikim i përplasjes mes serbëve, boshnjakëve dhe qytetarëve të tjerë në Novi Pazar.

Ai vlerësoi se këtë e dëshmon edhe fakti që shefi i policisë në Novi Pazar është boshnjak, po ashtu edhe rektorja e Universitetit Shtetëror është boshnjake.

Ata janë emëruar në ato pozita përpara se të ndodhte kjo situatë.

Një pjesë e udhëheqjes së Universitetit në Novi Pazar, përfshirë edhe rektoren, janë ndër të paktët që ndodhen në krye të institucioneve të arsimit të lartë publik në Serbi dhe që janë shprehur publikisht kundër protestave studentore.

Duke folur për televizionin Informer, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, paralajmëroi se Universitetit Shtetëror në Novi Pazar do t’i ndalohet mbështetja financiare nga shteti. Kërcënim të njëjtë bëri edhe për komunën e Novi Pazarit.

“Novi Pazari është një mjedis shumë specifik dhe mendoj se është krejtësisht e papërshtatshme që përmes Universitetit Shtetëror të reflektohet kriza e përgjithshme që po ndodh prej tetë muajsh”, tha politologu Kladniçanin.

Vuçiq gjithashtu akuzoi përfaqësuesit e pushtetit nga radhët e partive boshnjake se “ëndërrojnë të marrin sa më shumë para nga Beogradi, sepse Novi Pazari është i varfër dhe nuk mund të bëjnë asgjë me paratë e veta”.

Pas kësaj, pasuan edhe kritikat ndaj atyre “që janë në Qeverinë e Serbisë”. Vuçiq tha se është i zhgënjyer nga partnerët e tij të koalicionit nga Novi Pazari.

Në Qeverinë e Serbisë ndodhen ministra nga dy prej tri partive boshnjake më me ndikim, të cilat e kanë selinë në atë qytet.

Husein Memiq nga Partia Demokratike e Sanxhakut është ministër i Turizmit dhe Rinisë, ndërsa Usame Zukorliq nga Partia e Drejtësisë dhe Pajtimit është ministër pa portofol.

Politologu Fahrudin Kladniçanin theksoi se gjatë tetë muajve të fundit, që kur kanë nisur protestat antiqeveritare të udhëhequra nga studentët, qëndrimi i partive boshnjake ka qenë “shumë i butë, për të mos thënë i rezervuar”.

“Ata në asnjë moment nuk kanë dalë publikisht në mbështetje të regjimit apo presidentit të Serbisë, dhe nuk i kanë dhënë atij ndonjë përkrahje të plotë”, tha ai.

“Sipas mendimit tim, pushteti ka dashur t’u tërheqë vëmendjen partnerëve të tij boshnjakë që ka në koalicion se nuk janë mjaftueshëm të angazhuar”, shtoi ai.

Kladniçanin vlerësoi se politikanët boshnjakë janë “të vetëdijshëm për situatën” dhe se “po e peshojnë me shumë kujdes se si të pozicionohen në gjithë këtë histori”.

Ndërkohë, është deklaruar edhe kryetari i Partisë Socialdemokrate, Rasim Lajiq.

Ai tha se partia e tij do të kërkojë bisedime me partnerët e koalicionit për të gjitha problemet dhe çështjet e hapura që ekzistojnë në marrëdhëniet mes tyre.

Lajiq theksoi se Novi Pazari, si qytet multietnik, nuk ka nevojë për “fyerje mbi baza etnike dhe fetare”.

Po ashtu ka reaguar edhe Usame Zukorliq, duke thënë se zhvillimet në Universitetin Shtetëror të Novi Pazarit “kanë shkaktuar përçarje dhe pakënaqësi mes qytetarëve”, duke shtuar se do të flasë “hapur për këtë” me presidentin e Serbisë.

Ai këtë deklaratë e bëri ditë më parë, duke kritikuar festën nacionaliste të organizuar nga tabloidi Informer, ku mori pjesë thuajse e gjithë elita shtetërore.

Në këtë ngjarje, përveç këngëve nacionaliste, janë kënduar edhe këngë çetnike. Presidenti i Serbisë është parë duke festuar edhe nën tingujt e një kënge, ku njëri nga vargjet thotë “Turkja është betuar para xhamisë se ka dashur vetëm një serb”.

Për këtë arsye, në Novi Pazar është mbajtur një protestë qytetare.

Universiteti Shtetëror në Novi Pazar është në bllokadë që nga 26 janari.

Në të studiojnë rreth 3.500 studentë, kryesisht nga rajoni i Sanxhakut.

Pamjet në të cilat studentët e këtij institucioni të arsimit të lartë shihen duke nderuar viktimat e aksidentit në Novi Sad, luten bashkërisht dhe bëjnë shenjën e kryqit, janë bërë virale.

Një nga protestat më të mëdha studentore u mbajt në Novi Pazar në prill, kur në këtë qytet shkuan demonstrues nga e gjithë Serbia.

Studentët nga ky qytet atëbotë thanë se “më në fund ndihen si studentë të barabartë të këtij vendi”.

“Absolutisht, ndjenja është ende e njëjtë. Një ndjenjë e fortë e bashkësisë dhe se të gjithë jemi një”, tha studenti Amar Liçina, duke theksuar se për të dhe kolegët e tij asgjë nuk ka ndryshuar pas incidentit.

Në shenjë mbështetjeje për qytetarët dhe studentët e Novi Pazarit, më 29 korrik u organizuan protesta në disa qytete të Serbisë.

Protestat dhe bllokadat e udhëhequra nga studentët në Serbi po zgjasin për më shumë se tetë muaj. Kërkesa kryesore është përcaktimi i përgjegjësisë politike dhe penale për vdekjen e 16 personave nga shembja e strehës prej betoni në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad./REL

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Prokuroria, GJL e Dhoma Avokatisë kundër Kodit Penal, a duhet ndryshuar drafti?