Rrugët rajonale dhe qendrat e vogla urbane, që deri para gjashtë muajsh i konsideronim kryesisht të sigurta, tani janë nën kontrollin e ushtarëve rusë ose goditen vazhdimisht nga dronët e tyre. Ndërmjet Kramatorskut dhe Pokrovskut nuk ka më lidhje të drejtpërdrejtë – për të kaluar nga një zonë në tjetrën duhet bërë një devijim prej rreth 250 kilometrash në prapavijat ukrainase, kurse më parë mjaftonin vetëm 80 kilometra. Për më tepër, që nga mesi i qershorit, komandat e Kievit nuk i lejojnë më civilët të hyjnë në Pokrovsk, tashmë gati tërësisht të rrethuar.
Donbasi që ende mbahet nga ukrainasit, rreth 25-30% e territorit, po shndërrohet në një labirint i madh vdekjeprurës: sulme ajrore, rrezik pritash, postblloqe të improvizuara dhe zona gri që ndryshojnë kontroll nga një pasdite në tjetrën. “Dronët-mëmë rusë fluturojnë lart në qiell 24 orë në ditë, gjurmojnë objektivat dhe më pas drejtojnë dronët kamikazë më të vegjël, nuk ka më zona të sigurta”, paralajmërojnë patrullat në rrugë.
Edhe në Kharkiv qarkullimi është i dobët, shumë dyqane janë të mbyllura ose kanë vitrinat të mbuluara me dërrasa, njësoj si në muajt e parë të vitit 2022. Shihen kudo qepenë të ulura dhe thasë me rërë para dyerve. Nuk kalon ditë pa një sulm. “Gjendja u përkeqësua para samitit Putin-Trump më 15 gusht. Pas tij situata u stabilizua disi dhe ndoshta sulmet ajrore janë zbehur pak, por presioni i inkursioneve tokësore mbetet i fortë”, thonë ushtarët që kthehen nga vijat e para.
Luftë konsumimi
Pamja që ofron lindja e Ukrainës, dhjetë ditë pas samitit në Alaskë, është një luftë konsumimi me ngritje e ulje. Është sikur diplomacia dhe përpjekjet e presidentit Trump për ta bindur Putinin të ulet në negociata me Zelenskyn të zhvillohen në një botë tjetër, krejt e shkëputur nga realiteti i betejave. Për ta kuptuar mjafton të shihen shifrat.
Midis ajrit dhe tokës
Sipas të dhënave të Shtabit të Përgjithshëm të Kievit, rusët që nga 15 gushti deri mëngjesin e djeshëm kanë lëshuar rreth 1.200 dronë dhe rreth 60 raketa. Shifra është e lartë, por sulmet janë përqendruar në dy net të veçanta dhe duken më pak intensive se breshëritë e meskorrikut që terrorizuan qytetet kryesore. Viktimat e ditëve të fundit janë më të pakta se një muaj më parë.
Sa i përket territorit, shifrat e Kievit tregojnë një përparim gradual rus në Donbas. Pas ofensivave të fundit të vitit 2024 – me mbi 1.000 kilometra katrorë të pushtuar vetëm në nëntor – rusët u ngadalësuan në fillim të vitit 2025. Vetëm pas fitores në Kursk, në prill, nisën sërish të avancojnë. Nga 14 deri më 20 korrik morën 92 kilometra katrorë (mesatarisht 13 në ditë). Nga 21 korrik deri më 3 gusht mesatarja u rrit në 14, pastaj nga 4 deri më 10 gusht arriti 21 dhe më pas ra në 11 deri më 17 gusht. Për javën e fundit pritet e njëjta mesatare.
Patrullat dhe kaosi
“Rusët po mundohen të zgjerojnë territorin për ta paraqitur si fakt të kryer dhe për ta aneksuar më pas si pjesë të plaçkës së luftës”, akuzoi presidenti Zelensky pas samiteve në Anchorage dhe Uashington. Në fakt, taktikat e reja ruse me patrulla të vogla tokësore për të rrethuar Pokrovskun dhe për të synuar drejtpërdrejt Kramatorskun kanë sjellë kaos në prapavijat ukrainase, duke krijuar një zonë të gjerë gri ku është ende e paqartë kush ka epërsi.
Dje në mëngjes, Shtabi i Përgjithshëm i Moskës deklaroi për agjencinë Tass se kishte marrë lagjet perëndimore të Kostyantinivkës. Ukrainasit e mohuan, duke thënë se i kishin zmbrapsur. Megjithatë, është fakt se rusët po përpiqen të organizojnë një manovër rrethimi nga veriu dhe jugu në drejtim të Dobropillias, që mund të kërcënojë qytetin më të madh të mbetur nën kontrollin ukrainas në lindje. “Nëse bie Kramatorsku, Donbasi është i humbur”, pranojnë komandantët ukrainas.
Kundërpërgjigjja e Kievit
Ukrainasit po reagojnë me një intensifikim të sulmeve të tyre me dronë gjithnjë e më të sofistikuar. Në tre vjet e gjysmë kanë kaluar nga prodhimi i më pak se 5.000 dronëve në vit, në mbi 2,5 milionë. Ashtu si vitin e kaluar, ditët e fundit kanë goditur depo municionesh, industri ushtarake, rezerva karburanti, trena me cisterna dhe mbi të gjitha rafineri të mëdha, duke shkaktuar rritjen e çmimit të naftës në Rusi. Që nga fillimi i gushtit kanë djegur një dhjetëshe qendrash energjetike jetike për Moskën.
Inteligjenca e Kievit pretendon se ka ulur me 10% kapacitetin e rafinimit të naftës së armikut, me dëme që i llogarit rreth 75 miliardë dollarë. Sulmi ndaj gazsjellësit rus Druzhba, që furnizon Hungarinë dhe Sllovakinë, shkaktoi protesta nga të dyja qeveritë./Corriere Della Sera
Komente
