Moti i keq me reshje shiu që ka shoqëruar Lezhën gjatë natës dhe mëngjesit të kësaj të premteje, nuk e ka ndalur plazhin në Shëngjin.
Pavarësisht kushteve atmosferike, e gjithë vija bregdetare nga Rana e Hedhur deri në Kunes ishte e populluar me pushues, ku dominonin shqiptarët e Kosovës.
Pushuesit shprehen se nuk kanë menduar të largohen nga plazhi, pasi edhe kjo kohë është e favorshme për pushime pranë detit.
“Jo shiu nuk na ka penguar. Shëngjini është shumë i bukur, kam vite që vij këtu. Isha para një muaji për 12 ditë edhe tani do të rri për 10 ditë.”, tha një qytetar.
“Nuk ka asnjë pengesë, pse të largohemi. Shiu është i mirëseardhur. Uji është shumë mirë. Unë në Shëngjin vij çdo vit, plazhi është i mirë. Është edhe afër.”, shtoi një tjetër.
“Koha do të bëhet më mirë. Shiu nuk është asgjë, ndoshta dikush i frikësohet. Por jo. Dielli do të kënaqë, edhe fëmijët bashkë. Jemi nga Tetova, jeni të sjellshëm dhe të mirë. “, u shpreh një shqiptar nga Tetova.
Megjithëse sezoni turistik është drejt fundit, frekuentimi i Shëngjinit mbetet maksimal, ndërsa referuar prenotimeve edhe pritshmëritë për muajin shtator janë pozitive, duke e zgjatur kështu sezonin përtej muajit gusht.
Komente
