Presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit, Luis Rubiales, ka kërkuar falje për puthjen në buzë të futbollistes Jenni Hermoso, pasi Spanja fitoi Kupën e Botës për femra.
Rubiales e puthi sulmuesin spanjoll gjatë ceremonisë së prezantimit pas fitores 1-0 të skuadrës ndaj Anglisë në finalen e së dielës.
“Nuk më pëlqeu”, tha Hermoso në Instagram, por një deklaratë e lëshuar më vonë në emër të saj mbrojti Rubiales.
Të hënën, Rubiales tha: "Kam gabuar plotësisht, duhet ta pranoj".
Rubiales tha se nuk kishte qëllim të keq dhe se mësoi se duhet të jetë më i kujdesshëm.
“Ishte pa qëllim të keq në një kohë me shumë emocione. Për momentin e pamë të natyrshme, por jashtë është krijuar një bujë. Më duhet të kërkoj falje, të mësoj nga kjo dhe të kuptoj se kur je president duhet të jesh më i kujdesshëm”.
Rubiales u kritikua nga disa ministra të qeverisë spanjolle, madje shumë kritika ka pasur edhe në mediat sociale.
"Është një formë e dhunës seksuale që gratë vuajnë çdo ditë.", tha Ministrja Irene Montero.
“Nuk duhet të supozojmë se puthja pa pëlqim është diçka që ‘ndodh’”, tha ajo.
Ministri i Sportit i Spanjës, Miquel Iceta i tha radios publike spanjolle se ishte "e papranueshme" që Rubiales të puthte Hermoso.
"Gjëja e parë që ai duhet të bëjë është të japë shpjegime dhe të kërkojë falje, është gjëja logjike dhe e arsyeshme për të bërë".
Në një deklaratë të lëshuar nga federata spanjolle e futbollit, pas komentit fillestar të lojtarit për mospëlqimin e puthjes, Hermoso tha se momenti ishte një "gjest i natyrshëm dashurie".