Foto ilustruese

Putin akuzon Ukrainën: Tentoi të bombardonte termocentralin bërthamor të Kurskut! SHBA dhe Kina paralajmërojnë Kievin: Rrezik i intensifikimit të sulmeve nga Rusia

22 Gusht, 16:25| Përditesimi: 22 Gusht, 16:31

  • Share

Përshkallëzohet siuata në frontin e luftës mes Ukrainës dhe Rusisë. Të dyja ushtritë pretendojnë sulme dhe pushtim territori, teksa shefi i Kremlinit, Vladimir Putin, hodhi akuza të rënda sot (22 Gusht) ndaj Kievit, se “ka tentuar të bombardojë termocentralin bërthamor të Kurskut”.

Nga kjo zonë vijon evakuimi i banorëve, teksa deri tani janë larguar 114 mijë persona nga ky rajon, për t’i shpëtuar sulmeve. Kurse Kina nëpërmjet ambasadës së saj, paralajmëroi qytetarët e saj që të kishin kujdes në Ukrainë, pasi në vijim pritej intensifikim i bombardimeve nga Rusia.

Më herët kishte paralajmëruar edhe ambasada e SHBA-ve në Kiev, për “ditët në vijim dhe atë të Pavarësisë më 24 Gusht në Ukrainë”.

Zelensky: Po përparojmë, kontrollojmë disa territore në Kursk

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, tha se operacioni në rajonin Kursk të Federatës Ruse vazhdon dhe Ukraina kontrollon disa zona atje.

“Është shumë e rëndësishme që partnerët të përmbushin detyrimet e tyre, kjo është thelbësore për mbrojtjen tonë, puna jonë luftarake po vazhdon falë të gjithëve”, u shpreh ai, raporton “La Repubblica”.

"Që nga fillimi i kësaj lufte, sulmet ruse kanë shkatërruar tashmë më shumë se 500 kisha, shtëpi lutjeje dhe ndërtesa të tjera fetare. Të gjithë besimtarët në Ukrainë kanë vuajtur nga pushtimi i së keqes ruse", shkroi presidenti ukrainas në Telegram, duke shtuar se “Rusia po kërkon t’i shkatërrojë plotësisht”.

 Zelensky vizitoi edhe zonat kufitare ruse të rajonit Sumy të Ukrainës dhe u takua me komandantin e forcave të armatosura Oleksandr Syrsky. Ai u informua "për masat e marra për të forcuar mbrojtjen në drejtimet Toretsk dhe Pokrovsky". Sa i përket situatës në rajonin Sumy pas fillimit të operacionit Kursk "ka pasur një rënie të bombardimeve dhe viktimave civile".

Ministria e Mbrojtjes e Moskës tha se trupat ruse kishin kapur një fshat tjetër në rajonin Donetsk të Ukrainës, Mezhevoye, në drejtim të qytetit të Pokrovsk.

Më shumë se 114 mijë njerëz u evakuuan nga nëntë komuna në rajonin e Kurskut. Këtë ia ka raportuar presidentit rus Vladimir Putin, ministri rus për situatat emergjente Alexander Kurenkov. Lajmin e bën të ditur dhe “Ria Novosti”.

Putin akuzon Ukrainën: Tentoi të sulmonte termocentralin bërthamor të Kurskut

Sot (22 Gusht), lideri i Kremlinit mbajti një video-konferencë mbi situatën në rajonet Kursk, Bryansk dhe Belgorod në kufirin me Ukrainën.

Putin akuzoi trupat ukrainase:

“Ata u përpoqën të sulmonin termocentralin bërthamor në Kursk mbrëmjen e djeshme (21 Gusht)”.

Gjithashtu Putin po takohet me guvernatorët e rajoneve Belgorod, Bryansk dhe Kursk.

“Ju mblodha së bashku për të diskutuar situatën që po zhvillohet aktualisht në rajonet kufitare të Rusisë”, tha Putin në fillim të takimit.

Ambasada kineze në Kiev paralajmëron: Intensifikimi i mundshëm i bombardimeve ruse në ditët e ardhshme

Ambasada kineze në Ukrainë, pas asaj amerikane, ka paralajmëruar edhe bashkatdhetarët e saj për një intensifikimin e mundshëm të bombardimeve ruse.

Selia diplomatike në Pekin rinovoi ftesën e saj për qytetarët kinezë që të mos udhëtojnë në Ukrainë, "duke marrë parasysh situatën aktuale të sigurisë" dhe u tha të pranishmëve që të kërkojnë menjëherë strehim në vende të sigurta kur të bjerë alarmi i avionit.

Këtë e ka raportuar agjencia ruse “Ria Novosti” dhe agjenci të tjera ndërkombëtare.

Hapet hetim penal kundër korrespondentit të CNN në Kursk

FSB ruse ka njoftuar se ka hapur një çështje penale për "kalim të paligjshëm të kufirit shtetëror" kundër gazetarit të CNN, Nick Paton Walsh dhe disa korrespondentëve ukrainas, që filmuan raporte në zonën e Sudzha, në rajonin e Kurskut, ku po zhvillohet një inkursion nga Forcat e Kievit.

A.Q/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?