Vladimir Putin

Bota

Putin: Europa duhet të marrë pjesë në procesin e negociatave për Ukrainën! Rusia e gatshme të bashkëpunojë me SHBA për mineralet e rralla

24 Shkurt, 22:09| Përditesimi: 24 Shkurt, 22:12

  • Share

Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se Bashkimi Evropian duhet të përfshihet në procesin e negociatave për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë.

“Pjesëmarrja e BE-së në negociatat për konfliktin ukrainas është e nevojshme,” theksoi ai gjatë një interviste për mediat ruse.

Gjatë intervistës, Putin shprehu gatishmërinë e Rusisë për të bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara në sektorin e mineraleve të rralla.

“Ne do të ishim të gatshëm t’u ofrojmë partnerëve tanë amerikanë mundësinë për të punuar së bashku në këtë fushë. Kur flas për partnerë, nuk kam parasysh vetëm strukturat shtetërore dhe qeveritare, por edhe kompanitë private, nëse tregojnë interes,” u shpreh ai.

Putin akuzoi presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky se po pengon procesin e arritjes së paqes.

“Rusia dhe SHBA duan të arrijnë paqen në Ukrainë sa më shpejt të jetë e mundur, por Zelensky e pengon këtë proces,” tha ai, duke pretenduar se lideri ukrainas po bëhet “një figurë toksike” brenda vendit të tij. Sipas tij, vendimet e Zelensky-t po shkaktojnë “humbje katastrofike” për forcat ukrainase.

Duke komentuar mbi rolin e liderëve ndërkombëtarë në zgjidhjen e konfliktit, Putin vlerësoi qasjen e presidentit amerikan Donald Trump.

“Presidenti aktual i SHBA-ve ka duart e lira, nuk është i lidhur nga kufizime që e pengojnë të ecë përpara dhe të punojë për zgjidhjen e konfliktit. Ai vepron në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe pa ndonjë siklet të veçantë,” tha Putin.

Në të kundërt, ai argumentoi se liderët evropianë e kanë të vështirë të ndryshojnë qasjen e tyre ndaj Ukrainës pa “humbur fytyrën”.

“Ata kanë dhënë shumë premtime për Kievin dhe tani është praktikisht e pamundur për ta që të tërhiqen nga këto qëndrime pa pësuar pasoja politike të brendshme, sidomos në një periudhë zgjedhjesh dhe rikonfirmimesh në parlamentet e tyre,” tha presidenti rus.

Putin komentoi mbi situatën e brendshme politike në Ukrainë, duke vënë në dukje se mbështetja për Zelensky është zvogëluar ndjeshëm.

“Kreu i regjimit të Kievit ka probleme, pasi popullariteti i tij është vetëm gjysma e atij që ka Zaluzhny,” tha Putin, duke iu referuar ish-komandantit të forcave të armatosura të Ukrainës, gjeneralit Valery Zaluzhny, i cili është parë si një kandidat i mundshëm për të pasuar Zelenskyn.

Në lidhje me të ardhmen e Ukrainës, Putin tha se Rusia nuk është kundër ekzistencës së një shteti ukrainas, por theksoi se ai nuk duhet të shërbejë si një bazë armiqësore kundër Moskës.

“Ne nuk kemi asgjë kundër që Ukraina të mbetet një shtet i pavarur. Por sigurisht, ne nuk duam që ky territor të përdoret si trampolinë për sulme kundër Federatës Ruse apo të kthehet në një vend armiqësor ndaj nesh,” tha ai.

Putin gjithashtu sugjeroi se qëndrimi i presidentit amerikan lidhet me mbrojtjen e shtetësisë ukrainase.

“Mendoj se pozicioni i presidentit të SHBA-ve nuk është i lidhur drejtpërdrejt me interesat e Rusisë, por më shumë me ruajtjen e shtetit ukrainas. Ne nuk kemi asnjë problem me këtë, për sa kohë që Ukraina nuk përdoret si një kërcënim për sigurinë tonë,” përfundoi ai.

Deklaratat e fundit të Putin vijnë në një moment kritik për konfliktin në Ukrainë, ndërsa përpjekjet për negociata dhe arritjen e një armëpushimi po intensifikohen nga të gjitha palët e përfshira.

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se vota e Diasporës do jetë përcaktuese më 11 maj?