Vladimir Putin

Bota

Putin, kusht për paqen në Ukrainë! Kërkon ‘firmën’ e fuqive perëndimore për të ndaluar zgjerimin e NATO-s drejt lindjes

28 Maj, 12:10| Përditesimi: 28 Maj, 12:16

  • Share

Presidenti rus, Vladimir Putin është i gatshëm të negociojë paqen në Ukrainë, por vetëm sipas kushteve të tij, duke përfshirë një kërkesë kyçe: një premtim me shkrim nga fuqitë perëndimore për të ndaluar zgjerimin e NATO-s drejt lindjes, raporton Reuters. Kjo nënkupton përjashtimin përfundimtar të Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Moldavisë nga anëtarësimi në aleancën ushtarake perëndimore, sipas tre burimeve ruse të afërta me negociatat.

Putin kërkon gjithashtu që Ukrainë të jetë neutrale, të hiqen disa nga sanksionet perëndimore ndaj Rusisë, të zgjidhet çështja e aseteve sovrane ruse të ngrira në Perëndim dhe të sigurohet mbrojtje për rusishtfolësit në Ukrainë. Reuters citon njërin nga burimet të ketë thënë se nëse Putini e kupton se nuk është në gjendje të arrijë një marrëveshje paqeje sipas kushteve të tij, ai do të përpiqet t'u tregojë ukrainasve dhe evropianëve me anë të fitoreve ushtarake se "paqja nesër do të jetë edhe më e dhimbshme".

Putin dhe zyrtarët rusë kanë thënë vazhdimisht se çdo marrëveshje paqeje duhet të adresojë “shkaqet rrënjësore” të konfliktit – shkurtimi rus për çështjen e zgjerimit të NATO-s dhe mbështetjen perëndimore për Ukrainën. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka përsëritur se Rusia nuk duhet të ketë të drejtë vetoje mbi të ardhmen euroatlantike të vendit të tij, ndërsa NATO ka deklaruar se nuk do të ndryshojë politikën e saj të "dyerve të hapura" se kërkon kështu Moska.

Negociatat janë intensifikuar kohët e fundit, sidomos pas një bisede dy orëshe mes Putin dhe Donald Trump. Putin ka rënë dakord të punojë mbi një memorandum paqeje me Ukrainën, por sipas Kremlinit, përpilimi i versionit rus ende është në proces. Megjithatë, Kievi dhe liderët evropianë e akuzojnë Moskën për zvarritje të qëllimshme, ndërkohë që trupat ruse po bëjnë përparime në lindje të Ukrainës.

Putin ka ashpërsuar qëndrimin e tij për çështjen territoriale, duke insistuar në kontrollin e plotë të katër rajoneve lindore të Ukrainës që Rusia pretendon se ka aneksuar. Lufta, që nisi në shkurt 2022 me një pushtim të plotë rus, ka shkaktuar viktima masive dhe pasoja ekonomike të rënda për të dyja palët.

Ndërkohë, Trump ka shprehur zhgënjim me vonesat e Putinit në negociata dhe ka kërcënuar me sanksione të reja. Dy ditë më parë, ai e quajti homologun rus të çmendur pas një sulmi ajror masiv ndaj Ukrainës.

Kërkesa e Putinit për një marrëveshje me shkrim mbi zgjerimin e NATO-s është rikthim i një pretendimi të vjetër se Perëndimi e mashtroi Rusinë pas rënies së Murit të Berlinit në 1989. Por SHBA dhe aleatët e saj thonë se një marrëveshje e tillë nuk ka ekzistuar kurrë në mënyrë formale.

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kuvendi, si e vlerësoni punën e legjislaturës që po mbyllet?