Presidenti rus Vladimir Putin

Putin paralajmëron se Rusia do të vazhdojë të testojë raketën e re balistike: Po na krijohen kërcënime!

22 Nëntor, 19:36| Përditesimi: 22 Nëntor, 19:47

  • Share

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se raketa e re balistike me rreze të mesme veprimi e shtetit të tij, e cila është e aftë të bartë koka bërthamore, do të vazhdojë të testohet, përfshirë edhe në kushte luftuese, siç ndodhi më herët gjatë javës kur Rusia e sulmoi me këtë raketë Ukrainën.

“Ne do të vazhdojmë këto testime, përfshirë edhe në kushte luftuese, varësisht nga situata dhe natyra e kërcënimeve të sigurisë që po krijohen për Rusinë”, tha Putin më 22 nëntor gjatë takimit me zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes dhe zyrtarët e industrisë ushtarake.

Rusia e ka përdorur të ashtuquajturën raketë hipersonike, Oreshnik, kundër Ukrainës më 21 nëntor, kur sulmoi qytetin Dnipro.

Putin tha se ky sulm ishte pjesë e kundërpërgjigjes së Moskës kundër sulmeve ukrainase me raketat amerikane, ATACMS dhe atyre britanike, Storm Shadow.

Ditë më parë është raportuar se Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar i kanë dhënë leje Kievit që të përdorë këto sisteme raketore për të goditur territorin rus.
Zyrtarët ukrainas fillimisht kishin akuzuar Rusinë se kishte përdorur një raketë balistike ndërkontinentale. Por, Putin më pas njoftoi se sulmi ishte kryer me një raketë të re balistike me rreze të mesme veprimi.

Putin tha më 22 se raketa e re nuk është ndonjë përditësim i armatimit të mëhershëm, të dizajnit sovjetik. /REL/

A.Q/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?