"Rusia nuk dëshiron të sulmojë askënd." Kështu iu përgjigj Vladimir Putin deklaratave se Rusia paraqet kërcënim për Evropën. Në një takim që mbajti me kryeministrin sllovak, Robert Fico teksa ndodhet në Pekin, lideri rus i cilësoi akuzat e evropianëve për sulm të mundshëm si “një provokim ose shenjë paaftësie".
"Lidhur me planet agresive të Rusisë ndaj Evropës, dua të theksoj edhe një herë se kjo është një absurditet i plotë, pa asnjë bazë. Fakti që një lloj histerie po ushqehet vazhdimisht rreth planit të supozuar të Rusisë për të sulmuar Evropën, mendoj se është e qartë për njerëzit me mendje të shëndoshë: është ose një provokim ose paaftësi e plotë", tha Putin.
Duke folur për Ukrainën, Putin tha se nuk e ka kundërshtuar kurrë anëtarësimin e saj në BE, por përsëriti 'vijën e kuqe', hyrjen në NATO. Lideri rus theksoi gjithashtu se ekzistojnë mundësi pëe të arritur një konsensus mbi garancitë e sigurisë në Ukrainë nëse do të arrihej një marrëveshje paqeje.
"Sa i përket pranimit të Ukrainës në BE, ne kurrë nuk e kemi kundërshtuar atë. Sa i përket NATO-s, kjo është një çështje tjetër; këtu po flasim për sigurimin e sigurisë së Federatës Ruse, dhe jo vetëm sot. Ekzistojnë mundësi për të garantuar sigurinë e Ukrainës në rast të përfundimit të konfliktit. Kjo ishte gjithashtu tema e diskutimeve tona në Anchorage (me Donald Trump). Dhe më duket se ekziston mundësia e arritjes së një konsensusi këtu. Kontaktet tona të fundit me Trump tregojnë se administrata amerikane po i dëgjon shqetësimet tona. Shpresojmë që dialogu të vazhdojë ", u shpreh udhëheqësi rus.
Fico, nga ana e tij, tha se takimi mes Putinit dhe Trump më 15 gusht në Alaska shënoi një hap të madh përpara. Ai njoftoi gjithashtu se të premten do të takohet me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, ndërsa kritikoi edhe BE-në duke thënë se s'duhet të sillet si një fëmijë i ofenduar.
"Po krijohet një rend i ri botëror, rregulla të reja për një botë shumëpolare, një ekuilibër i ri pushteti, i cili është jashtëzakonisht i rëndësishëm për stabilitetin ndërkombëtar. Të jesh pjesë e këtyre diskutimeve do të thotë të mbështesësh dialogun dhe të mos sillesh si një fëmijë i ofenduar. Kështu sillen Bashkimi Evropian dhe përfaqësuesit e tij", tha Fico.
Ndërkohë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të takohet nesër me presidentin Emmanuel Macron në Pallatin Élysée, Francë. Dy krerët e shteteve do të diskutojnë situatën në Ukrainë veçanërisht për arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme.
Foto: Volodymyr Zelensky
Teksa presidenti rus Vladimir Putin ndodhet në Kinë, lideri ukrainas përmes një postimi në Telegram u shpreh se Putin është duke treguar përralla.
“Këto ditë në Kinë, Putini vazhdon të tregojë përrallat e tij, sikur të mos ishte përgjegjës për luftën. Sikur dikush gjithmonë e ‘detyron’ të luftojë, të vrasë, të dërgojë fëmijë në strehimore, të dërgojë mijëra njerëz për të sulmuar pozicionet tona”, shkroi Volodymyr Zelensky.
Më tej lideri ukrainas nënvizoi se rusët po bëhen gjithnjë e më të paturpshëm.
"Ata po sulmojnë gjithnjë e më shumë Ukrainën me dhjetëra dronë luftarakë dhe tani po dëshmojmë një tjetër grumbullim të forcave ruse në disa zona të frontit. Por ai nuk do paqe. Rusia vazhdon të sulmojë. Natyrisht, ne do të përgjigjemi. Do të përgjigjemi në mënyrë asimetrike, në mënyrë që Rusia të ndiejë pasojat e arrogancës së saj”, përfundoi Zelensky.
Foto: Aleksandër Lukashenko dhe Vladimir Putin
Presidenti bjellorus Aleksandër Lukashenko gjatë takimit me Presidentin rus Vladimir Putin në Pekin e përgëzoi këtë të fundit për takimin e tij me Presidentin e SHBA-së Donald Trump.
“Ju dhe Donald Trump patët një takim të mirë në Alaska, ne ju duartrokitëm. Nuk ka nevojë të thuhet kush fitoi dhe kush humbi. Bëtë një punë të shkëlqyer. Vetëm në Perëndim po bërtasin se ishte keq. Unë besoj se edhe ata do të mbështesin iniciativat që ju dhe presidenti i SHBA-së keni përcaktuar", citohet të ketë thënë Lukashenko.
Më tej ai përsëriti edhe njëherë mbështetjen e tij të pakushtëzuar për luftën e Rusisë kundër Ukrainës.
Foto: Volodymyr Zelensky dhe Emmanuel Macron
Në prag të takimit të koalicionit të të vullnetshëmve, Presidenti Emmanuel Macron do të mirëpresë Volodymyr Zelensky, Presidentin e Ukrainës, për një takim pune të ndjekur nga darka" nesër në mbrëmje në Pallatin Élysée.
Lajmin e bëri të ditur Presidenca franceze, duke specifikuar se të dy krerët e shteteve "do të diskutojnë situatën në Ukrainë dhe arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme".
"Dialogu është përparësia, jo konflikti". Këto ishin fjalët e presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, duke komentuar takimin e tij dypalësh me homologun e tij rus Vladimir Putin në Kinë. Erdogan shtoi se është e nevojshme një takim mes Putin dhe Zelenskyt.
"Diskutuam se si të arrijmë një paqe të drejtë midis Rusisë dhe Ukrainës. Që nga fillimi, Turqia ka këmbëngulur në rrugën e dialogut. Negociatat në Stamboll ishin prova e kësaj. Tani është e nevojshme ta çojmë dialogun në një nivel më të lartë dhe t'i bashkojmë udhëheqësit e Rusisë dhe Ukrainës për të arritur paqen", deklaroi Erdogan.
Komente

Ketij komikut i duket vertet se eshte i forte dhe president i Ukraines por ne fakt ai eshte thjesht nje kukull qe e komandojne perendimoret dhe tani do flaket sii lecke
Përgjigju